Gjirokastër/ Policia, masa për mbarëvajtjen e qarkullimit gjatë ditëve festive

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj, i kërkoi sot punonjësve të policisë rrugore marrjen e masave për mbarëvajtjen e qarkullimit rrugor, sidomos gjatë ditëve festive, kur pritet rikthimi i emigrantëve në vendlindje.

Gjatë takimit me punonjësit e Sektorit të Policisë Rrugore në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në fjalën e tij, prefekti Aliaj shprehu falënderimet për punën e bërë dhe bashkëpunimin e ofruar Sektorit të Policisë Rrugore në mënyrë të veçantë si dhe gjithë sektorëve të tjerë të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër në përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe për të qenë pranë tyre për garantimin e një mjedisi të sigurt në qarkun tonë.

Prefekti i qarkut ndër të tjera theksoi masat që duhen marrë për parandalimin e aksidenteve rrugore duke bërë përcaktimin e vendeve të njohura si “njolla të zeza” dhe vendosjen e patrullave apo të sinjalistikës së nevojshme rrugore.

Gjithashtu, Aliaj nënvizoi përdorimin e formave të sensibilizimit dhe të ndërgjegjësimit nga ana e punonjësve të policisë rrugore për rastet e shkeljeve të rënda të rregullave të qarkullimit rrugor.

Në përfundim të takimit, Prefekti uroi të gjithë punonjësit me rastin e festave të fundvitit.k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.