Basha në Tarinë, Mallkuç dhe Bubq: Duhet menjëherë dedikimi i fondeve për strehim për banorët

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ -Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vizituar  banorët e prekur nga tërmeti në Tarinë, Mallkuç dhe Bubq.

Ai ka theksuar se, duhet menjëherë dedikimi i fondeve për strehim për banorët. Sipas tij, “kjo është detyrë e shtetit, është përgjegjësi e qeverisë”.

“Gjendja e sotme e zonave të dëmtuara nga tërmeti, një muaj më pas është dëshmi e dështimit të qeverisë në menaxhimin e situatës. Qytetarë, fëmijë e të moshuar që kalojnë netët e ftohta jashtë, pa ngrohje, pa ujë e me ushqime të pakta të ofruara nga vullnetarë. Kushtet e mjerueshme kanë shkaktuar probleme shëndetësore tek qytetarët duke e rënduar situatën”, është shprehur Basha.

Ai ka nënvizuar se, “Familjarët nuk dinë nëse banesat e tyre janë apo jo të banueshme. Në shumicën e rasteve askush nuk ka shkuar të shohë e jo më vlerësojë dëmet, në shumë raste vlerësimi është kontradiktor, një herë banesa është vlerësuar e pabanueshme e njëherë e banueshme. Kryefamiljarë, që marrin përsipër rrezikun duke futur familjarët në shtëpi të dëmtuara pasi nuk kanë mundësi për strehim, jetojnë me ankthin dhe frikën e lëkundjes së radhës”.

Basha ka theksuar se, ketë situate e ka parë edhe në Tarinë, Mallkuç, Bubq, ndërsa, ka shtuar ai, “banorët bashkëjetojnë me gërmadhat e mbetura nga tërmeti dhe frikën e pasigurinë për të nesërmen”. “Ata që janë në çadra të papërshtatshme për kohën e ftohtë e me reshje i ndjejnë të ftohtin dhe lagështirën në palcë”, ka vijuar Basha.

“Situata po përkeqësohet ditë për ditë. Koha nuk pret. Duhet menjëherë dedikimi i fondeve për strehim për banorët. Kjo është detyrë e shtetit, është përgjegjësi e qeverisë. Nuk mund të sakrifikohen qytetarët, jeta dhe shëndeti i tyre për milionat e oligarkëve dhe aferat e radhës korruptive”, ka përfunduar Basha.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.