Padia e Metës ndaj kreut të KED, Dvorani kalon në SPAK

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH- A. Fortuzi/- Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencën për shqyrtimin e kallëzimit të ngritur nga Presidenti Ilir Meta në drejtim të Kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke ia kaluar dosjen për shqyrtim Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).

Zyra e shtypit e Prokurorisë së Tiranës, bëri me dije për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se vendimi është marrë të martën më 24 dhjetor 2019. Në argumentin e saj për dërgimin e hetimit në SPAK, Prokuroria e Tiranës me prokuror të çështjes, Alket Mersini, ka sjellë në vëmendje se Ardian Dvorani si kreu i KED është zyrtar i lartë dhe që prej datës 12 dhjetor 2019, me ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), zyrtarët e lartë, kësisoj edhe Dvorani, hetohen nga SPAK.

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka paditur Kreun e KED, Ardian Dvoranin për ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘përvetësim të kompetencave’ në rastin e emërimeve për Gjykatën Kushtetuese. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.