“Infrastruktura Bashkiake III/ Specialistët vëzhgim në zonat urbane të Kuçovës

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/- Specialistë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore kanë kryer një vëzhgim në Kuçovë.

Inspektimi është kryer në kuadër të projektit “Infrastruktura Bashkiake III”, për qytetet e Beratit dhe Kuçovës.

Specialistët kanë vëzhguar kryesisht në ish-zonën industriale dhe pjesërisht në atë brenda qytetit, zona këto në të cilat parashikohen të kryhen punime për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit të qytetit të Kuçovës.

Shërbimi inspektues më pas është shtrirë edhe rreth zonës urbane, pranë fushave dhe shpateve rreth qytetit.

Kuçova e kufizuar në veri dhe perëndim me bashkinë Belsh, në lindje me bashkinë Gramsh, në jug me bashkinë Berat dhe në perëndim me bashkinë Ura Vajgurore, përbëhet nga 4 njësi administrative. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 31 fshatra.

Bazuar në ndarjen e re administrativo-territoriale, qyteti i Kuçovës bashkohet me tre komuna, duke kombinuar resurset e tij deri me tash të bazuara kryesisht tek nafta, me sektorin bujqësor të këtyre zonave rurale. Burimi kryesor i Kuçovës vazhdon të mbetet nafta dhe gazi. Pasuria natyrore e naftës dhe gazit në këtë zonë, vazhdon të konsiderohet ende e lartë. /k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.