Brenda vitit të ardhshëm 91% e shërbimeve online, Balluku: Impakt të jashtëzakonshëm për qytetarët

TIRANE, 26 dhjetor/ATSH/- Deri në fund të vitit 2020, rreth 91% e shërbimeve të ofruara nëpër sportele pritet të bëhen online.

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku deklaroi sot se nga 1 janari të gjitha njësitë shtetërore që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta për qytetarët do vijojnë të shërbejnë online.

Sipas saj, ky proces përveçse i kursen kohë dhe para qytetarit, eviton edhe kontaktet e drejtpërdrejta që krijojnë kushte për korrupsion.

“Procesi do të jetë i lehtë. Në e-albania çdo qytetar do mund të aksesojë. Fillimisht kjo do të bëhet përmes sporteleve me ndihmën e operatorëve dhe me kalimin e muajve të gjithë qytetarët të mund ta përdorin vetë. E kemi provuar edhe më herët me bashkëqeverisjen, që dukej dikur e paarritshme, por koha tregoi se ishte një histori suksesi”, – deklaroi ministrja.

Ministrja Balluku ishte e pranishme sot në prezantimin e disa shërbimeve online në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Tiranë.

“Drejtoria e Përgjithshme e Transportit rrugor ka nisur të na tregojë të gjithëve ne se sa e lehtë është që qytetarët të trajnohen për të përfituar shërbimet online që ulin kohën e pritjes dhe ndihmojnë qytetarët të kursejnë kohë dhe para”, – deklaroi ajo.

Balluku tha se ministria që ajo drejton do të kalojë online edhe një numër të madh shërbimesh nga 14 që ofron sot duke e çuar në 50 numrin e shërbimeve online.

Por disa shërbime ku është e nevojshme paraqitja fizike (siç është kolaudimi i makinave), sipas ministres Balluku, do vijojnë të qëndrojnë ashtu siç janë.

Ministrja, më tej informoi se ofrimi i shërbimeve online ngarkon me përgjegjësi institucionet për gjetjen e dokumentacioneve.
“Ajo që do të ndodhë është që qytetari nuk do mbajë më përgjegjësi për letrat dhe dokumentacionet. Gjithçka do jetë online. Qytetarët do impenjohen më pak dhe do të kenë përgjegjësi vetëm për dokumentet që i kanë ata dhe nuk janë në njësitë e qeverisjes”, -tha Balluku./a.gjonaj/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.