Bashkia e Gjirokastrës miraton buxhetin 2020/ Golemi: Investime në zonat rurale dhe hapësira rekreative për fëmijët

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ – Këshilli Bashkiak i bashkisë së Gjirokastrës ka miratuar sot buxhetin e vitit 2020.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi duke e cilësuar si një lajm të mirë për Gjirokastrën miratimin e buxhetit për vitin 2020 thekson se, buxheti, “nuk është thjesht një tërësi shifrash, por një buxhet shumë domethënës që adreson problematika dhe nevoja të qytetarëve”.

Golemi shprehet i kënaqur që, “si asnjëherë më parë kemi rritur buxhetin për ushqimin dhe ngrohjen në kopshte e shkolla”.

Po kështu, shton ai, “kemi disa investime në infrastrukturë në lagje të ndryshme të Gjirokastrës, si dhe në zonat rurale. Investime në institucionet arsimore dhe në parqet për fëmijë nëpër lagje”.

Golemi falënderoi këshilltarët që bashkuan votat dhe garanton se çdo qindarkë e këtij buxheti do të përdoret me ndershmëri dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme.

“Faleminderit këshilltarëve që bashkuan votat dhe ju garantoj se çdo qindarkë e këtij buxheti do të përdoret me ndershmëri dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme. Gjirokastra është shtëpia jonë e përbashkët dhe në çdo rast duhet të bëjmë më të mirën për të”, thekson kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi.

/gj.mima/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.