Rehovë, miratohet projekti për restaurimin e kishës së Shën Kollit

TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/ – Në kuadër të veprimtarisë së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore është miratuar projekti i restaurimit për Kishën e Shën Kollit, në fshatin Rehovë të Ersekës.

Projekti i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë të kishës.

Fshati i Rehovës është i njohur në të gjithë vendin për artizanatin, mikpritjen, gatimet e veçanta, bukuritë dhe trashëgiminë e pasur, të ruajtur deri në ditët e sotme.

Rehova piktoreske, e cila shtrihet në rrëzë të malit të Gramozit, është përzgjedhur në 100 fshatrat model dhe do krijojë të njëjtin itinerar si Voskopoja, duke i dhënë këtij fshati një zhvillim të ri turistik e ekonomik, përmes rijetëzimit të vlerave që mbart si për turistët vendas, ashtu dhe për turistët e huaj.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.