Video/ 10 pallate në ditë lirohen nga pesha e depozitave të ujit në tarraca, qytetarët për ATSH-në: Dakord me vendimin, na rrezikojnë


TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Qytetarët e Tiranës shprehen të ndërgjegjësuar për rrezikun që paraqesin depozitat e ujit sipër tarracave jo vetëm për peshën që i shtojnë godinës por edhe për problemet e lagështisë.

Agjencia Telegrafike Shqiptare pyeti banorët në zonën e Kombinatit lidhur me vendimin e marrë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës për heqjen e depozitave nga tarracat e pallateve.

“Të hiqen depozitat dhe në rast se është bërë shtesë ballkoni janë mbyllur. Të hiqen patjetër edhe depozitat. Unë nuk kam depozitë, kur kam bërë instalimet nuk e kam vënë por edhe këto shtesat që janë bërë të hiqen patjetër. Unë këtë mendim kam. Prej depozitave po më kalbet muri”, -u shpreh qytetarja.

“Jam dakord me vendimin e këshillit bashkiak. T’i heqin patjetër sepse tek çatia ime ka plasur. Ka rënë depozita e komshiut, edhe muret kanë plasur kështu që jam dakord me vendimin e këshillit bashkiak”.

“Jam shumë dakord me heqjen e depozitave. Pesha që ka depozita rrezikon shembjen. Jemi dakord për këtë. Ne personalisht, pallati komplet nga kati i pestë në katin e parë jemi dakord. Ne kemi jetën në rrezik me këto depozita”,- tha qytetari për ATSH-në.

“Të hiqen depozitat sepse probleme shkaktojnë. 70% e problemeve të pallateve vijnë prej depozitave. Një metër katrore e soletës e ka 300 kg ndërsa ti i vë 2 tonë”, -shprehet qytetari.

Nga ana tij, drejtori i Përgjithshëm në Drejtorinë e Objekteve në Bashkëpronësi, Erind Bejko u shpreh se ” mesatarisht 10 pallate në ditë po i zbresin depozitat poshtë me vullnetin e tyre ndërkohë që bashkia po heq depozitat e pallateve që janë shpallur zyrtarisht të pabanueshme duke qenë se nuk ka banorë aty. Administratori së bashku me asamblenë e pallatit gjejnë vendin dhe marrin një depozitë të përbashkët e cila kushton më lirë se gjithë depozitat që vinin secili të tijën. Ka pallate që kanë 25 ton ujë në tarracë ndaj ishte momenti për të marrë këtë vendim”.

Vendimi i miratuar në Këshillin Bashkiak të Tiranës parashikon marrjen e masave të menjëhershme për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve, të cilët janë shpallur të pabanueshme me akt-konstatimi nga Instituti i Ndërtimit dhe banorët e tyre janë evakuuar, pasi godinat kërkojnë një rivlerësim të thelluar mbi gjendjen e tyre strukturore.

Ndërkaq, në të gjitha pallatet e banimit ku nuk ka pasur dëme nga tërmeti i datës 26 nëntor, do të hiqen përkohësisht nga tarracat e përbashkëta të pallateve të banimit të gjitha depozitat e ujit, deri në momentin që asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët të jenë pajisur me raportin e hartuar nga eksperti licencuar mbi qëndrueshmërinë konstruktive të tarracës dhe objekteve në bashkëpronësi. Ky proces është përgjegjësi e banorëve dhe duhet të ndiqet nga vetë banorët e pallatit, në bashkëpunim të ngushtë me administratorin e pallatit. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.