Rindërtimi mbetet prioritet i prioriteteve, brenda 2020 të gjitha shërbimet për qytetarët online

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Rindërtimi mbetet prioritet i prioriteteve”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, ndërsa foli për disa nga objektivat qeverisës në vitin 2020.

Në një prononcim për mediet, Rama tha se “mendoj që vendi nuk ka vakum për arsye sepse Kuvendi funksionon, procesi legjislativ ecën, ne reformat po i çojmë përpara”.

“Besoj se me prioritetet që kemi përcaktuar do t’i japim një shtysë të re shumë të fortë kësaj faze të dytë të mandatit, në kuptimin e impaktit që do të ketë kjo shtysë në aspektin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për ligjin e ri për titujt e pronësisë në fshat që tani është gati, dhe në aspektin e shërbimeve për qytetarët”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “në janar, qytetarët do ta ndiejnë shumë shpejt lehtësimin e madh se nuk do të jenë të detyruar të presin në sportele”.

“Brenda 2020 në të gjitha shërbimet që do t’u ofrojmë qytetarëve, të paktën në fazën e aplikimeve online, shteti do të marrë përsipër të plotësojë dosjet”, tha Rama.

Disa prej prioriteteve të tjera gjatë vitit 2020, sipas Ramës, kanë të bëjnë me “aspektin e sezonit turistik, ku kemi marrë angazhimin për të bërë një riformatim të legjislacionit për vijën bregdetare; në aspektin e ecurisë në Paktin për Universitetin me hapjen e kampusit të madh universitar, që do të transformojë botën universitare në një platformë të pakrahasueshme me çfarë ka qenë gjithë këto vite”.

Ndërkohë, Rama tha se rindërtimi mbetet prioritet i prioriteteve. “Është shumë e rëndësishme  kur njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre që do të jenë shumë më të mira se më parë dhe zonat e prekura të fillojnë të marrin frymë”, tha Rama.

Të gjitha këto do të vlejnë për qytetarët, tha ai, duke shtuar se “nuk besoj se në kushte të tjera do të bëhej me tepër se kaq”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.