Pasojat e tërmetit/ Nis nesër në terren identifikimi i bizneseve të prekura, Denaj: Lehtësi fiskale për Rimëkëmbjen

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH /  Nga nesër do të nisë në terren identifikimi i të gjitha bizneseve të prekura nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot gjatë një konferencë për shtyp se do të hartohet një plan masash në funksion të rimëkëmbjes së biznesit.

“Në buxhetin e vitit 2020 janë 20 miliardë lekë për rindërtimin. Ministri i Shtetit për Rindërtimin është duke konsoliduar një plan gjithë përfshirës. Nuk mendojmë se falja e disa gjobave apo penaliteteve do të ishte praktika më e mirë e ndjekur për të mbështetur biznesin në këtë situatë. Do të monitorojmë situatën për të parë se çfarë plani masash mund të ndërmarrim në funksion të rimëkëmbjes dhe jo vetëm të faljes së penaliteteve”, – tha Denaj.

Ministrja informoi se për të hartuar një plan të tillë masash ka vendosur kontakt me dhomat e tregtisë, duke i ftuar ato të sjellin propozimet e tyre.

Ndërsa zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen informoi se nesër nis në terren me ekspertë të Institutit të Statistikave për të bërë një anketim të detajuar të gjitha atyre bizneseve që kanë patur një impakt të drejtpërdrejt negativ nga tërmeti.

“Flasim jo vetëm për dëmet që janë shkaktuar në ndërmarrje, por edhe humbjet e të ardhurave të munguara gjatë kësaj periudhe, qoftë edhe inventarë të shkatërruar, dëmet apo humbjet nga punonjës të munguar, për të patur atë faturë financiare që është e nevojshme dhe më pas për të dizenjuar ato masa për të mbështetur këto biznese”, -u shpreh Sorensen.

Ndërsa zëvendësministri Elton Haxhi informoi se dëmet e konstatuara si pasojë e fatkeqësisë natyrore në inventar apo në aktive afatgjata do të konsiderohen shpenzime të zbritëshme përtej kufinjve që janë përcaktuar në legjislacionin aktual tatimor./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.