Investimet publike 2020/ 5.1% më të larta, mbështesin rritjen ekonomike, zgjerimin e veprimtarisë së biznesit dhe punësimin

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH / Investimet publike të planifikuara nga qeveria për vitin që vjen, kryesisht në infrastrukturën rrugore synojnë mbështetjen për rritjen ekonomike, zgjerimin e veprimtarisë së biznesit, si dhe rritjen e punësimit.

Në 2020-n parashikohen rreth 25.7 miliardë lekë ose 5.1% më shumë investime publike, në krahasim me realizimin e pritshëm të vitit 2019.

Prioritet edhe për vitin 2020 mbetet financimi i projekteve në vazhdim, duke synuar përfundimin e tyre brenda vitit 2021.

Rritja e investimeve publike do të vijë si nga rritja e financimit të brendshëm, ashtu edhe e financimit të huaj.

Gjatë vitit 2020 parashikohen të realizohen projekte të rëndësishme të infrastrukturës rrugore si rruga e Arbrit, rruga Milot-Balldren, Rruga Orikum-Dukat, të cilat parashikohen të përfundojnë brenda vitit 2022.

Po ashtu, buxheti mbështet edhe financimin e pjesës dërmuese të segmenteve rrugore në vazhdim, me financim të brendshëm, të cilat do të përfundojnë brenda vitit 2022, si akset rrugore Kardhiq-Delvinë, Elbasan-Banjë, by pass-i Shkodër, by pass-i Tepelenë, një pjesë e mirë e Unazës së Tiranës.

Brenda vitit 2021 me financim të huaj pritet të përfundojnë edhe segmentet rrugore me financim të huaj, si by pass-i i Fierit, by pass-i i Vlorës, Qukës-Qafë Plloçë etj.
/a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.