Investimet në Vermosh, nxitje e zhvillimit të qëndrueshëm në zonën me potencial të lartë turistik

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/- Rikualifikimi i plotë urban dhe ngritja e qendrës turistike, janë investimet me vlerë mbi 140 milionë lekë, që do ta shndërrojnë Vermoshin, skajin më verior të Shqipërisë, në një destinacion të veçantë turistik.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur se investimi është pjesë e projektit për zhvillimin e alpeve.

Konkretisht kjo ndërhyrje parashikon ndërtimin e qendrës së informacionit të turizmit, qendrën e akomodimit rural, si dhe rehabilitimin e qendrës Vermosh.

Për realizimin e këtyre objektivave do të kryhen punimet për prishjen e strukturave ekzistuese, punime civile dhe ndërtimi, instalime elektrike dhe pajisjet mekanike, mbrojtje e bankinave lumore, ndërtim rruge aksesi, punime dherash dhe stabilizim skarpate, si dhe elemente urbane si stola, pemë etj.

Investimi pritet të nxisë lëvizshmërinë në itinerarin Shkodër – Tamarë – Vermosh drejt Malit të Zi dhe anasjelltas./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.