Banka e Shqipërisë: 23% e familjeve kanë marrë të ardhura në formën e dërgesave nga emigrantët

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/- Sipas Vrojtimit mbi Financat dhe Konsumin e Familjeve Shqiptare, zhvilluar së fundmi nga Banka e Shqipërisë, vlerësohet se gjatë vitit 2018, 23% e familjeve shqiptare kanë marrë të ardhura në formën e remitancave.

Pavarësisht peshës që ato mbartin, eksperienca ndërkombëtare dhe ajo vendase kanë treguar se ky burim financimi është larg niveleve potenciale të shfrytëzimit të tij. Një përdorim më efektiv i këtyre fondeve do të sillte një vlerë të shtuar për ekonominë shqiptare. Pengesat kryesore që frenojnë efektin multiplikativ të remitancave,
lidhen kryesisht me kostot e larta dhe kanalet joformale të dërgimit të tyre. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë në vazhdimësi ka ndërmarrë nisma dhe reforma për të zbehur ndikimin e këtyre pengesave, si dhe rritjen e përfshirjes financiare.
Të dhënat bëhen të ditura nga “Diaspora dhe Pagesat” që është botimi i dytë i Bankës së Shqipërisë, kushtuar emigracionit dhe diasporës.
Ky botim vë theksin në risitë e sistemeve të pagesave dhe në mbështetjen që ato japin në thithjen dhe përdorimin me efikasitet të shtuar të dërgesave valutore nga emigracioni dhe diaspora.
“Diaspora dhe Pagesat”, pason botimin e vitit të kaluar, të titulluar “Remitancat: Një mbështetje për zhvillim”, çka dëshmon për një angazhim analitik të Bankës së
Shqipërisë në lidhje me emigrantët, dërgesat e emigrantëve (remitancat) dhe përdorimin efektiv të tyre.
Migracioni, në tërësinë e dimensionit të tij kulturor, social dhe ekonomik, përbën një nga shtyllat kryesore të axhendës 2030 për zhvillim të qëndrueshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për uljen e varfërisë.
Një nga mjetet e rëndësishme për materializimin e objektivave të vendosur është rritja e përfshirjes financiare të familjeve pritëse të remitancave, për të mundësuar efektivitet maksimal në përdorimin e të ardhurave nga emigrantët në vendet e origjinës.
Të dhënat e fundit të bilancit të pagesave tregojnë se të ardhurat nga emigrantët vazhdojnë të mbeten një fluks i rëndësishëm financimi për ekonominë shqiptare. Mesatarisht gjatë periudhës 2008-2018, remitancat kanë përbërë 12% të PBB-së së Shqipërisë. e.xh/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.