Programi i Rindërtimit/ Brenda gjashtë muajve, të prekurit nga tërmetit në shtëpi të re

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH-Gjergji Mima/ -Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se plani për rindërtimin pas tërmetit parashikon që brenda pranverës gjithçka të jetë e nisur.

Duke folur në një komunikim me medien pas mbledhjes fundvjetore të kabinetit qeveritar zhvilluar në Durrës, Kryeministri Rama theksoi se, “brenda 6 mujorit të parë një pjesë e madhe e atyre që janë sot në banesa individuale të jenë sistemuar në një shtëpi të re”.

Rama u shpreh se një pjesë e rëndësishme e mbledhjes së sotme ishte për rindërtimin. “Besoj që kemi një plan shumë solid për të nisur procesin e rindërtimit. Objektivi ynë është që brenda pranverës gjithçka të jetë e nisur dhe brenda 6 mujorit të parë një pjesë e madhe e atyre që janë sot në banesa individuale të jenë sistemuar në një shtëpi të re”, tha kreu i qeverisë.

“Sigurisht për ata që do të hyjnë në apartamente në lagjet e reja që do të ndërtohen do të vazhdojnë të qëndrojnë në sistemin e qirasë deri kur të jenë gati për të ardhur në shtëpitë e reja”, tha Rama. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.