Komuniteti shqiptaro-amerikan në Uashington DC, meshë bamirësie për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit

TIRANË, 23 dhjetor  /ATSH – I. Vata/- Komunitetin shqiptaro-amerikan në Uashington DC organizoi një meshë dhe një koncert bamirësie në kujtim të viktimave të fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit në Shqipëri.

Eventi u mbajt në Kishën “Sacred Heart of Mary Chapel” në Uashington DC dhe u nderua nga një numër i madh përfaqësuesish të komunitetit.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Filloreta Luli Faber falënderoi komunitetin shqiptaro-amerikan në Uashington DC për këtë organizim kaq të ndjerë dhe shprehu mirënjohjen e thellë për të gjithë diasporën në SHBA, e cila reagoi që në orët e para pas tragjedisë dhe u organizua duke dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme financiare dhe jo vetëm për familjet e dëmtuara.

Referuar bilancit të tërmetit, ambasadorja theksoi se situata pas tërmetit është tepër e rëndësishme dhe e vështirë, ndaj i bëri thirrje të pranishmëve të vijojnë të kontribuojnë në https://e-albania.al/donate/, duke mbështetur sadopak në procesin e rindërtimit.

Koncerti i bamirësisë me artistët e njohur shqiptarë vijoi me një repertor të pasur të muzikës klasike ku nuk mungoi dhe muzika shqiptare si “Këngët e Tokës” nga L. Dizdari.

“Aktivitetet në nder të viktimave dhe mbledhja e kontributeve për procesin e rindërtimit do të kulmojnë me megaeventin “Fundraising” që do të organizohet nga Ambasada Shqiptare në DC ku do të nderojnë me pjesëmarrjen e tyre përfaqësues të lartë politikë”, shprehet ambasada e Shqipërisë në SHBA.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.