Fondi për kompensimin e pronarëve, 4.5 miliardë lekë në 2020-n

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Fondi i kompensimit në vlerë të pronarëve, parashikohet në masën 4.5 miliardë lekë nga 1.9 miliardë lekë që ishte në 2013.

Sipas planifikimeve në buxhetin e vitit që vjen, i cili tashmë është miratuar në Kuvend dhe pritet të çelet nga data 1 janar, ku fond është 0.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Agjencia e Trajtimit të Pronave ka publikuar edhe listën e dokumenteve që nevojiten për t’u dorëzuar.

Sipas ATP-së, subjekti kërkues (subjekti përfitues/trashëgimtari ligjor/përfaqësuesi me prokurë), në momentin e plotësimit të kërkesës për kompensim, duhet të paraqesë kërkesën për kompensimin e pronës, sipas formatit tip, që i vihet në dispozicion.
Tjetër dokument është dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil.

Subjekti duhet të dorëzojë prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo kërkesë të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 mijë lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme.

Po ashtu, vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare (IBAN), ku do të transferohet vlera financiare e përfituar, fotokopjen e dokumentit të identifikimit, si dhe mandat pagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit në vlerën 2 000 (dymijë) lekë.

Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të ri aplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm./a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.