Durrës/ Mbërrijnë dy tragete me udhëtarë, në mbrëmje priten dy të tjerë

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Dy tragete kanë mbërritur sot paradite nga Bari në portin e Durrësit  – bëhet e ditur nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual Durrës, sipas së cilës tragetet “AF Marina” dhe “Rigel II” janë nisur përsëri drejt portit të Italisë jugore.

Ndërkaq, mësohet se në mbrëmje në Durrës priten edhe dy tragete të tjerë me udhëtarë dhe automjete.

Sipas të njëjtave burime portuale, gjatë 72 orëve të kaluara të gjithë tragetet kanë lundruar jashtë grafikut dhe orareve të paracaktuara për shkak të motit të keq dhe detit të trazuar.

Që nga dita e premte (20 dhjetor) deri në mbrëmjen e së dielës, tragetet kanë kryer 12 lundrime gjithsej, 9 nga të cilat nga/drejt Barit, ndërsa tre të tjerët në Ankona dhe Ravena.

Në Qendrën e Informacionit të Autoritetit Portual Durrës mësohet se në dispozicion të lundrimeve të fundvitit janë gjashtë tragete, të cilët përveç grafikut të ditëve të zakonshme do të kryejnë edhe 12 lundrime shtesë./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.