Forumi Ekonomik Botëror: Shqipëria mes vendeve të përparuara në mbylljen e hendekut gjinor në politikë, ekonomi, shëndetësi e arsim

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ – Shqipëria është ndër vendet e para të klasifikuara nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF) për përparimin e shpejtë drejt mbylljes se hendekut gjinor në politikë, ekonomi, shëndetësi dhe arsim që nga auditimi i fundit në 2018.

“Shqipëria, Kanadaja, Kosta Rika, Letonia, Zvicra, Afrika e Jugut dhe Spanja i kishin kryer të gjitha proceset e kërkuara dhe ia kishin kaluar Britanisë së Madhe në mbylljen e hendekut gjinor në politikë, ekonomi, shëndetësi dhe arsim që nga auditimi i fundit në 2018”, thuhet në një artikull të gazetës prestigjioze britanike “The Guardian”, qe merr në shqyrtim pozicionimin e Britanisë së Madhe në këtë drejtim.

Sipas gazetës, Mbretëria e Bashkuar ka rënë gjashtë vende poshtë renditjes globale për barazinë gjinore. Edhe pse kryeministrat britanikë janë zotuar të ndërmarrin një vendim shterues për të zgjidhur pabarazitë gjinore në politikë dhe britanike, Mbretëria e Bashkuar ka rënë nga vendi i 15-të te vendi i 21-të si kombi me barazinë më të mirë në botë.

WEF, që organizon takimin vjetor të politikanëve dhe drejtuesve të biznesit në Davos, Zvicër, tha se ishte arritur kaq pak përparim në trajtimin e problemit sa që do të duheshin 100 vjet për të mbyllur hendekun global gjinor.

“Raporti i këtij viti thekson urgjencën në rritje për veprim”, tha Klaus Schwab, themeluesi dhe kryetari ekzekutiv i WEF.

“Pa përfshirjen e barabartë të gjysmës së talentit të botës, ne nuk do të jemi në gjendje të ofrojmë premtimin e revolucionit të katërt industrial për të gjithë shoqërinë dhe të rritim ekonomitë tona për prosperitet më të madh të përbashkët’’, theksoi ai.  /a.jor/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.