PD: Prokurorët të sqarojnë pozicionin dhe të ruajnë integritetin e SPAK

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi në një deklaratë për shtyp, të shtunën, ka sulmuar drejtuesin e SPAK, Arben Kraja si dhe një anëtar tjetër të kësaj strukture. Bardhi publikoi një dokumentin për drejtuesin e SPAK, Arben Kraja, si hetues politik në kohën e komunizmit .
Bardhi tha se Partia Demokratike kërkon fuqimisht nga partnerët tanë SHBA dhe BE, që t’i përmbahen garancisë që i kanë dhënë popullit shqiptar për të siguruar pavarësinë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Çdo e dhënë që ul besimin e publikut tek SPAK nuk ndihmon në forcimin e integritetit dhe paanshmërisë së kësaj strukture. Ruajtja e besimit të publikut është jetike për të garantuar suksesin e SPAK dhe për të bërë realitet pritshmërinë e publikut për të luftuar pandëshkueshmërinë në radhët e zyrtarëve të lartë. Në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe eleminimit të çdo dyshimi për integritetin e SPAK, prokurorët, për të cilët publikisht është vënë në dyshim integriteti, pavarësia dhe paanshmëria, duhet menjëherë të sqarojnë pozicionin e tyre dhe vlerësojnë seriozisht mundësinë për të hequr dorë nga përbërja e SPAK”- deklaroi Bardhi.

Sipas tij, mbi interesin personal dhe politik, në këtë moment, duhet të prevalojë, nevoja për të ruajtur të paprekur imazhin, integritetin dhe besimin tek SPAK.

e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.