FOTO/ Shkodër, legalizohen 8 objekte të kompleksit të Manastirit Françeskan në Velipojë

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/- Në listën e legalizimeve të kryera në Velipojë, Shkodër, bën pjesë edhe Kompleksi i Manastirit Françeskan të Velipojës, me plot 8 objekte të legalizuara.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, i dorëzoi dje certifikatat e legalizimit famullitarit të Velipojës, dom Marian Gega dhe motër Maria Heidelit.

Pjesë e kompleksit të Manastirit Françeskan të Velipojës, janë objektet e legalizuara si Kisha dhe kambanarja, Shtëpia e miqve, Qendra kulturore, Qendra e katekizmit, Kopshti i fëmijëve, Qendra sportive dhe Kuvendi i Motrave Françeskane, të shpërndara në një sipërfaqe rreth 15.000 m2.

Kadastra shqiptare shprehet se “ishte dhurata më e bukur që Kadastra Shqiptare mund t’i bënte këtij komuniteti që me prezencën e tij 8-shekullore në trojet shqiptare, ka qenë jetë e mot qendër kulture dhe qytetërimi”.

“Motër Maria, një shenjtore e gjallë gjermane, që prej me tepër se 20 vjetësh jeton midis komunitetit të Velipojës, na ofroi më pas minuta të jashtëzakonshme kuvendimi pranë vatrës mikpritëse të Kuvendit. Ishte bukur ti kalonim së bashku ato minuta në bisedë në këtë prag Krishtlindjesh”, – thekson Kadastra./k.s/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.