FOTO/ Nderohen mjekët dhe infermierët që përballuan situatën e tërmetit të 26 nëntorit

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/- Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nderuar mjekët dhe infermierët që përballuan situatën e tërmetit të 26 nëntorit, për kontributin e paçmuar në ndihmë të më shumë se 900 të lënduarve.

Ministrja Manastirliu vlerësoi devotshmërinë, profesionalizmin dhe humanizmin e ekipit të shëndetësisë.

“Ju jam mirënjohëse ju dhe qindra kolegëve tuaj që shërbyet me sakrificë, me humanizëm dhe na dhatë edhe një provë tjetër të devotshmërisë, sakrificës e profesionalizmit, në përmbushje të misionit që keni, në shërbim të qytetarëve. Mes merakut për familjen dhe detyrëN, zgjodhët të dytën. Është pak të thuash që jeni heronj”, tha Manastirliu.

Gjatë fjalës së mbajtur, ministrja tha po ashtu se “për dr. Juna Hitajn ky ishte çmimi i parë në detyrën fisnike të mjekut, ndërsa për dr. Vilson Rucin, është, siç thotë ai, më i çmuari nga të gjithë! Njihuni me infermieret Suela Gjeçin, Vjollca Vocin, Merita Agasin, dr. Qamil Furrikun, dr. Arjan Tivarin, që janë vetëm disa nga qindra mjekët dhe infermierët që trajtuan me sakrificë e profesionalizëm më shumë se 900 të lënduar si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit”.

Në aktivitetin e organizuar u vlerësuar me pllakë mirënjohjeje për kontribut në dalluar në përballimin e situatës së tërmetit Dr. Juna Hitaj mjeke e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Prof.Asoc. Dr. Vilson Ruçi dhe Kryeinfermierja Suela Gjeçi nga Spitali Universitar i Truamës, Dr. Arjan Tivari nga Spitali i Durrësit,  Infermierja e QSH Ishëm Merita Agasi, Vjollca Voci nga Urgjenca e Spitalit të Shkodrës dhe Dr. Qamil Furriku nga Qendra Shëndetësore Pukë. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.