ZVICËR – OKB e shqetësuar për legjislacionin polak të kontrollit të gjyqtarëve

GJENEVË, 20 dhjetor /ATSH-DPA/ – Kombet e Bashkuara (OKB) shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me legjislacionin e propozuar në Poloni që do të zgjerojë përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve, deklaroi sot zëdhënësi i Zyrës së të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Rupert Colville.

Colville theksoi se legjislacioni mund të rezultojë në shkarkimin e gjyqtarëve nëse ata vënë në dyshim reformën gjyqësore të qeverisë dhe shkelin liritë e shprehjes dhe shoqatave të gjyqtarëve.

Gjithashtu, rrezikon pavarësinë e gjyqësorit në Poloni.

Ai shtoi se OKB-ja i kërkoi Polonisë të marrë me kujdes në konsideratë ndikimin e mundshëm të projektligjit në shtetin e së drejtës.

Një projektligj i paraqitur nga deputetët e partisë qeverisëse “Ligj dhe Drejtësi” (PiS), që do të lejojë shkarkime dhe veprime të tjera disiplinore kundër gjyqtarëve të cilët vënë në dyshim ligjshmërinë e emërimeve gjyqësore, është në diskutim.

Legjislacioni i propozuar shkaktoi kritika të ashpra në Poloni, përfshirë dhe nga Gjykata Supreme, si dhe nxiti protesta në të gjithë vendin. / /sara/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.