Veliaj, porosi për administratorët e pallateve: 30 janari afati i fundit për depozitat, ja procedurat që duhet të ndiqni me banorët

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ 30 janari është afati i fundit brenda të cilit inxhinierët e licencuar, në bashkëpunim me asambletë e bashkëpronarëve, banorët dhe administratorët, duhet të vendosin se cilët janë pallatet që nuk mund të mbajnë depozita uji në tarracat e tyre, për shkak se rrezikojnë shembjen.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi sot një takim me administratorët e zgjedhur të pallateve, të cilëve u la porosi të angazhohen në procesin e heqjes së depozitave nga pallatet ku rrezikohet jeta e banorëve.

Veliaj tha se nëpërmjet një inxhinieri të licencuar bëhet verifikimi në terren i gjendjes së pallateve dhe vendoset nëse këto struktura mund t’i mbajnë ose jo depozitat. Për rastet kur do të vendoset se depozitat duhet të zbriten nga tarracat, Veliaj tha se bashkia do krijojë lehtësirat e nevojshme që banorët t’i vendosin ato në katet e para.

“Afati për këtë është deri në 30 janar. Pra, në çdo pallat duhet të bëjmë një verifikim, inxhinieri mjafton të jetë i licencuar dhe të thotë kjo mban dhe kjo s’mban, ju së bashku me banorët do t’i zbrisni dhe bashkia jep leje për t’i vendosur poshtë. Pra, një hapësirë që keni poshtë pallatit mund ta rezervoni për vendosjen e një depozite të përbashkët”, tha Veliaj.

Ai shtoi se për pallatet që tashmë janë rrethuar me shirit të kuq si të pabanueshme, do të jetë bashkia ajo që do të bëjë heqjen e depozitave, ndërsa për pallatet e tjera do të jenë vetë banorët, së bashku me administratorët dhe asambletë e bashkëpronarëve që do të bëjnë zhvendosjen e tyre.

“Në pallatet e evakuuara do të jetë detyrë e bashkisë, duke qenë se aty nuk ka banorë fizikisht që mund ta kryejnë këtë punë. Kemi nisur në Kombinat, aty është fokusi më i madh dhe kemi një ekip të përbashkët me emergjencat, Policinë Bashkiake, Policinë e Shtetit, UKT dhe punëtorët e ndërmarrjeve 1, 2, 3”, sqaroi Veliaj.

Ai theksoi se aktualisht po punohet me prioritet në zonat më të prekura nga tërmeti në Tiranë dhe ku ka patur dëmet më të mëdha në pallate, siç është Kombinati dhe Kinostudio, dhe më pas do të vijojë kontrolli i të gjitha pallateve në Tiranë.

“Sipas inxhinierëve, 6 depozita të mbushura me ujë janë sa një shtesë kati pa leje mbi pallat. Kjo vetëm sa për të kuptuar për rrezikun që po flasim. Kjo është arsyeja pse po ndërhyjmë fillimisht në këto pallate, përpara se të vendoset nëse do të përforcohen apo nëse do të prishen, pas një studimi të thelluar. Hapi i dytë është kalimi në të gjitha pallatet e Kinostudios. Në total janë 100 pallate të identifikuara me pullë të kuqe për evakuim dhe vetëm pasi të kemi mbaruar Kombinat, Kinostudio, do shkojmë pastaj në gjithë njësitë e tjera”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku kërkoi që të vijojë procesi i zgjedhjes së administratorëve. “Siç upa edhe nga tërmeti, edhe për çështjet e evakuimit, edhe për çështje të ndihmës së shpejtë, edhe për çështje të koordinimit të ndihmës apo të qirave, doli jetike nevoja e një administratori pallati. Ndaj, për atë pakicë pallatesh në Tiranë që s’kanë ende një administrator, thirrja për banorët është: Ju lutem, nëse ka një rezolutë për vitin 2020, është zgjedhja e administratorit. Nëse ka një dëshirë që një familje e Tiranës duhet t’i vërë vetes i synim për ta realizuar në 2020 është me pas një administrator”, tha Veliaj.

Ndërkohë, ai u bëri thirrje të gjithë administratorëve që të aplikojnë pranë Bashkisë së Tiranës për të përfituar nga fondi i Komunitetit për të meremetuar dëmet e lehta në pallate.

Veliaj nënvizoi se ky fond është dyfishuar nga ana e Bashkisë dhe të gjithë mund të aplikojnë për të përfituar për të bërë rregullimet./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.