Shkarkimi i Metës/ Shtyrje të Komisionit me 4 muaj, opinion Venecias për ngërçin në Kushtetuese

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH- A. Fortuzi/- Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, për tejkalim të ushtrimit të kompetencave të tij, lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, ka shtyrë afatin hetimor dhe me katër muaj, ndërsa do të merret në pyetje edhe Kreu i Këshillit të Lartë të Emërimeve, Ardian Dvorani, si edhe anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari.

Gjatë punimeve në këtë komision, kryetari Ulsi Manja bëri propozimin për shtyrjen me katër muaj të punës së komisionit. Ndërkohë që gjatë punimeve, deputetja socialiste Klotilda Bushka, kërkoi që të merret në pyetje edhe kreu i KED-së Ardian Dvorani..

Në këtë shtesë hetimi përveç veprimeve të Metës për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit është përfshirë edhe ngërçi i krijuar me Gjykatën Kushtetuese. Po kështu me shumicë votash që për shkeljet e reja që i janë shtuar Komisionit Hetimor për Metën, është votuar në unanimitet që me anë të disa pyetjeve të merret Opinioni i Komisionit të Venecias nëse Meta ka bërë shkelje të rëndë me ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo pasi, socialistët pretendojnë se Presidenti është sërish në shkelje të Kushtetutës me mos-dekretimin e Arta Vorpsit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Deputeti Spartak Braho, theksoi se është dakord me shtesat e hetimit për Metën. “Unë jam dakord me shtesën e subjektit të hetimit. Komisioni është nisur për të shkarkuar Presidentin. Ai shkarkohet për shkelje të rënda. Tek objekti i hetimit janë shtuar edhe 8 shkelje t tjera. Nuk i gjykoj dot nëse janë të rënda apo të lehta. Nëse ka shkelur rëndë është për t’u shkarkuar. Duhet të vazhdohet me këto shtesa” -,tha Braho.

Anëtari i Komisionit të Posaçëm Hetimor, Arben Zeneli ka dalë kundër këtij propozimi pasi kërkon që Komisioni të mbarojë fillimisht për atë çfarë u mblodh.

Në përfundim të diskutimeve, Komisioni Hetimor votoi shtyrjen me katër muaj të punës së Komisionit Hetimor. Ndërkohë me vota unanime është pranuar që për shtesat e kërkuar t’i drejtohen për opinion Komisionit të Venecias.

Kreu i këtij Komisioni, Ulsi Manja u shpreh se sot është një ditë e shënuar pasi Reforma në Drejtësi tashmë ka sjell dhe krijimin e Prokurorisë Speciale Antikorrupsion (SPAK). /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.