Shengeni Ballkanik/ Meta: Çdo iniciativë rajonale është pozitive

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ -Presidenti Ilir Meta apeloi sot klasën politike që të reflektojë dhe të drejtojë në mënyrë më gjithëpërfshirëse.

“Shpresoj që ky fundviti dhe ky tërmet me shumë pasoja që na mësoi se më e rëndësishme se çdo gjë është jeta, shëndeti dhe dashuria për njëri-tjetrin, të na ndihmojë të reflektojmë për një politikë të re që drejton në mënyrë gjithëpërfshirëse, demokratike, përmes votës së lirë dhe garanton llogaridhënie të besueshme”, u shpreh meta.

“Shqetësimi im më i madh është tërmeti i përditshëm me atë që unë e quaj shpopullim. Duhet të reflektojmë sa më shpejt sepse kjo humbje besimi është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e këtij konflikti skizofrenik, artificial, të cilin nuk mund të vazhdojmë më të jetë një mënyrë qeverisje për një Shqipëri pa shqiptarë. Politika duhet të reflektojë e para por edhe vetë shqiptarët duhet ti thërrasin mendjes, mund të ikin në gjithë botën për një punë më të mirë, pagë më të mirë,  për arsim më të mirë, por do të humbasin përgjithmonë atdheun e tyre”, tha Meta.

I pyetur si do të vijojë iniciativën për mbrojtjen e Kushtetutës, Meta tha se, “Kushtetutën e kam mbrojtur dhe do vazhdoj ta mbroj. Por edhe qytetarët e kanë kuptuar se e vetmja rrugë për të pasur shtetin që duan është që të kuptojnë se sa e rëndësishme është të jenë çdo ditë në mbrojtje të Kushtetutës dhe të drejtës së tyre. Kushtetuta është garancia e të gjitha drejtave kushtetuese dhe të ardhmes europiane të këtij vendi.Nuk është copë letër”.

Në lidhej me Shengenin Ballkanik dhe mos pjesëmarrjen e Kosovës, Meta tha se, “nuk kam asnjë koment paraprak. Çdo takim, çdo iniciativë rajonale është pozitive sidomos kur prodhon më shumë rezultate sesa debate”.

I pyetur për paketën antishpifje, Meta tha se, “do ta shoh me vëmendje, pasi janë ndryshime të minutave të fundit, do të shikojmë për të zbardhur të gjitha aktet dhe relacionet përkatëse dhe përgjigja do të jetë në kohën e duhur, e argumentuar dhe transparente”.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.