Reagim profesional në trajtimin e të lënduarve nga tërmeti, Manastirliu vlerëson ekipet mjekësore: Përgjigje e fortë të gjithë skeptikëve

Tiranë, 20 dhjetor/ATSH/– Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nderuar mjekët dhe infermierët që përballuan situatën e tërmetit të 26 nëntorit, për kontributin e paçmuar në ndihmë të më shumë se 900 të lënduarve.

Ministrja Manastirliu e vlerësoi devotshmërinë, profesionalizmin dhe humanizmin e ekipit të shëndetësisë.

“Ju jam mirënjohëse ju dhe qindra kolegëve tuaj që shërbyet me sakrificë, me humanizëm dhe na dhatë edhe një provë tjetër të devotshmërisë, sakrificës e profesionalizmit, në përmbushje të misionit që keni, në shërbim të qytetarëve. Mes merakut për familjen dhe detyrës, zgjodhët të dytën. Është pak të thuash që jeni heronj”, tha Manastirliu.

Duke vlerësuar gatishmërinë e ekipeve të shëndetësisë që në momentet e para pas tërmetit, Manastirliu tha se plani i gatishmërisë u vendos menjëherë në zbatim.

“Plani ynë i gatishmërisë u vendos menjëherë, por ju ishit të parët që iu përgjigjët situatës. Urgjenca kombëtare me provën e jashtëzakonshme jo vetëm të reagimit të shpejtë, por të profesionalizmit të lavdërueshëm, më bëjnë të ndihem krenare që jeni ekipi i shëndetësisë. I dhatë një përgjigje të fortë të gjithë atyre që ishin skeptikë. Jam krenare për ekipin e urgjencës së Traumës, për organizimin, për reagimin e shpejtë, për profesionalizmin dhe kujdesin e pashoq që treguan për të lënduarit. Po e tregojnë edhe sot e çdo ditë, për 8 të lënduarit e fundit që ende po marrin trajtim në këtë spital. Spitali i Durrësit ka pritur urgjenca të panumërta, mjekët dhe infermierët kanë reaguar me profesionalizëm, pavarësisht se shumë prej tyre kanë patur vetë banesa të dëmtuara dhe pasigurinë për fëmijët dhe familjen”, tha ministrja.

Në fjalën e saj Manastirliu nuk ka lënë pa vlerësuar edhe solidaritetin që mjekë dhe infermierë nga spitale dhe qendra shëndetësore që nuk ishin prekur nga tërmeti, të gatshëm për të ndihmuar të lënduarit.

“Efikase ishte përgjigjja e ekipeve tona mjekësore pas tërmetit. Është sot e gjithë ditën në hotele dhe pikat e emergjencës ku janë strehuar banorët e mbetur pa strehë si pasojë e tërmetit, ku ekipe mjekësore po kujdesen për fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, të sëmurë kronikë. Nga Puka, nga Shkodra, Berati, Elbasani,Pogradeci, dhjetëra mjekë dhe infermierë kanë ardhur në ndihmë të kolegëve të tyre në zonat e prekura nga tërmeti, për të garantuar që shërbimin për qytetarët”, tha Manastirliu.

Në aktivitetin e organizuar janë vlerësuar me pllakë mirënjohjeje për kontribut në dalluar në përballimin e situatës së tërmetit Dr. Juna Hitaj mjeke e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore; Prof.Asoc. Dr. Vilson Ruçi dhe Kryeinfermierja Suela Gjeçi nga Spitali Universitar i Truamës; Dr. Arjan Tivari nga Spitali i Durrësit; Infermierja e QSH Ishëm Merita Agasi; Vjollca Voci nga Urgjenca e Spitalit të Shkodrës dhe Dr. Qamil Furriku nga Qendra Shëndetësore Pukë./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.