Fshati Ishëm ndër më të goditurit nga tërmeti/ Voda: 200 banesa janë shpallur të pabanueshme

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ – Fshati Ishëm gjithashtu është prekur nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit .

Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, është gjendur  pranë banorëve të dëmtuar në Ishëm dhe me durim, këmbëngulje dhe kurajo, ka drejtuar përpjekjet për të menaxhuar dhe lehtësuar situatën e vështirë në Durrës.

Ajo thekson se, “puna në terren ka kohë që ka filluar. Ishmi ka qenë një nga zonat rurale më të prekura të bashkisë Durrës. Rreth 200 banesa në këtë Njësi Administrative janë shpallur të pabanueshme”.

Banorët shprehen se kanë marrë çadrat dimërore për t’u strehuar.  Gjithashtu ata theksojnë se grupet e inxhinierëve kanë ardhur për të parë shtëpitë dhe për t’i klasifikuar ato të pajisur me tableta.

Voda ka kërkuar nga banorët kurajo dhe durim deri sa të mbarojë procesi i verifikimit të dëmeve, më pas tha ajo, “Kryeministri ka premtuar një program rindërtimi të madh dhe për fshatin do të mendohet sesi do bëhet se ka shumë shtëpi të dëmtuara”.

Prefekti i Durrësit, Roland Nasto u shpreh se kryesorja është se solidariteti ka qenë shumë i madh dhe ne bëhemi të fortë duke parë që ka solidaritet edhe duke parë qëndresën tuaj ne na jep akoma më shumë forcë për të bërë akoma më shumë”.

Një njësi lëvizëse është shndërruar në qendër shëndetësore në fshatin Ishëm.

Voda tha se, “një nga godinat e dëmtuara ka qenë dhe ajo e qendrës shëndetësore  Ishëm. Tashmë kemi një njësi banimi lëvizëse, e cila është kthyer në një qendër shëndetësore dhe këtu banorët mund të marrin asistencën shëndetësore. Siç e dëgjuam disa prej tyre ishin dhe të sëmurë, por kanë një lehtësim se tashmë qendrën shëndetësore e kanë në dispozicion”.

Mjekja e qendrës shëndetësore u shpreh se, shërbimi është 24 orë me kushte dhe me mjetet e duhura.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.