FOTO/ Prokuroria Speciale Anti-korrupsion nis zyrtarisht punën, Kraja: Koha është për punë, jo për llafe

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH- A. Fortuzi/-  “Koha është për punë, jo për llafe”-, këto kanë qenë fjalët e para të Arben Kraja, si Drejtues i Prokurorisë Speciale Anti-korrupsion të njohur si SPAK.

Prokuroria Speciale Anti-korrupsion nisi të premten zyrtarisht punën, pas betimit të tetë gjyqtarë dhe zgjedhje nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë së Arben Kraja-s, si drejtues të SPAK. Kjo Prokurori do të angazhohet në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe lind si pjesë e paketës së Reformës në Drejtës. Krijimi i këtij institucioni u përshëndet edhe nga SHBA dhe BE.

Sot, gjatë prezantimit të Kraja-s, si Drejtues të SPAK, Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, e cilësoi moment historik fillimin e punës së kësaj prokuroria. Ai tha se tashmë pret rezultete konkrete. “Shpresoj që të japin rezultatet që ne presim. Ky është një moment historik për ne. Prokurorët fillojnë sot detyrën me zotin Kraja në krye. Fillim viti do të jetë intensiv për të gjithë ne në frontet e punës. Zotin e shtëpisë këtu e bën zoti Kraja, unë dhe gjithë të tjerët nga hera tjetër do të jemi të ftuar. KLP do të jetë mbështetje e vijueshme për SPAK-un”-, garantoi në fjalën e hapjes Kreu i KLP, Genti Ibrahimi.

Arben Kraja në fjalën e tij theksoi rëndësinë e punës në grup dhe faktin se fjalët duhet ti lënë vendin rezultateve. “Falenderoj KLP-në për procesin transparent. I falenderoj edhe ata që votuan për mua edhe ata që votuan për të tjerët. Kemi shumë punë për të bërë”-, tha Kraja.

“Bashkë me Dumanin dhe Kondilin do të bëjmë një skuadër të fortë. Koha është për punë, jo për llafe. Kemi shumë punë për të bërë.”-, deklaroi në fjalën e hapjes kreu i SPAK, Kraja.

SPAK do të përbëhet fillimisht nga tetë prokurorë. Arben Kraja, kryetarë, më pas janë, Altin Dumani, Edvin Kondili, Elida Kaçkini, Enkeleda Millonaj, Behar Dibra, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi. Këta të tetë u betuan dje para kreut të shtetit në Presidencë. Të tetë kandidatët kanë mandat tetë vjeçar pa të drejtë rizgjedhje, teksa Kraja do të jetë drejtues i kësaj prokurorie për tre vitet e ardhshme.

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja, mori 6 vota nga anëtarët e KLP nga 4 vota që mori Altin Dumani. Ndërsa kandidati i tretë, Edvin Kondili mori vetëm votën e kryetarit të KLP, Gent Ibrahimi. Anëtarët që votuan pro Krajës ishin Bujar Sheshi, Kosta Beluri, Alfred Balla, Vate Staka, Nurjan Seiti dhe Sandër Beci. Ata e shpjeguan votën pro me faktin se Arben Kraja ka eksperiencë në menaxhimin e burimeve njerëzore.

Të mërkurën tre kandidatët paraqitën platformat e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, e cila e nis punën me 8 anëtarë, por sipas kreut të SPAK tashmë ka hapësira ligjore për ta plotësuar dhe me prokurorë të tjerë. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.