Biznesi sinjale inkurajuese për investime/BSH: Kredia për sektorin privat u rrit me 8%

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/- Kredia për ekonominë po vijon rritjen progresive të qëndrueshme duke mbështetur dinamikën e zhvillimit të konsumit dhe të investimeve.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, e pastruar nga efekti i kursit të këmbimit dhe ai i nxjerrjes së kredive të humbura jashtë bilancit, kredia për sektorin privat regjistroi një rritje vjetore prej 8% në muajin tetor.

Banka Qendrore vlerëson se, kjo rritje rezulton se ka shfaqur një bazë të gjerë. Ajo është ushqyer nga zgjerimi i kreditimit si në segmentin e individëve dhe në atë të bizneseve.

Në këtë kontekst, citon BSH-ja, vlen të theksohet se rritja e kredive për qëllime investimi ndaj biznesit jep sinjale inkurajuese për një mbështetje në rritje të nevojave për fonde të ekonomisë nga sektori bankar.

Po ashtu, sinjale inkurajuese në drejtim të rritjes së efektivitetit të politikës monetare vijnë nga zgjerimi progresiv i peshës së kredisë në lekë ndaj totalit. Ky tregues shënoi vlerën 48% në muajin tetor. e.xh/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.