Spiropali: Fondi fillestar i planit të rindërtimit, 20 miliardë lekë

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ -Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka theksuar se, tragjedia që kaluam këtë vit si pasojë e fatkeqësisë natyrore të tërmetit të 26 nëntorit, peshoi fort në zemrën e mendjen e gjithsekujt nga ne e ca më keq tek ato familje që humbën familjarët nën rrënoja, ata që u lënduan, dhe ata që mbetën pa strehë”.

Ajo ka theksuar se në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar u miratua buxheti 2020, pjesë e të cilit është edhe Plani i Rindërtimit.

Spiropali shprehet se, “fondi fillestar i këtij plani është 20 miliardë lekë (rreth 200 milionë dollarë) përmes Programit të Rindërtimit do të realizohet rindërtimi i banesave të dëmtuara. Ndërtimi i qytezave urbane. Ndërtimi i infrastrukturës shoqëruese”.

“Miratuam ligjin e rindërtimit, i cili do të shërbejë si bazë e qëndrueshme ligjore për të adresuar të gjitha nevojat e identifikuara për rehabilitimin dhe rindërtimin e zonave të prekura”, shtoi Spiropali.

“Në fund të muajit janar, mbahet në Tiranë Konferenca e Donatorëve, me qëllim mbështetjen e Programit të Rindërtimit nga të gjitha shtetet anëtare të BE”, theksoi Spiropali.

“Dhe së fundmi, gra e burra, vajza e djem, të vegjël e të moshuar, për çka kemi bërë të gjithë bashkë në kaq kohë, të vetëm nuk do ia dilnim. Faleminderit me zemër”, nënvizoi ministrja Spiropali.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.