Mirush Kabashi nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Tetovës

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/- “Artisti i Merituar” dhe mjeshtri i madh i skenës shqiptare, Mirush Kabashi, u nderua ditët e fundit me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Tetovës.

Ceremonia u zhvillua gjatë akademisë për kremtimin e 25-vjetorit të themelimit të universitetit, në prani në pedagogëve, studentëve, themeluesve të universitetit, si dhe të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri, ministrit të Arsimit, Arbër Ademi, etj.

Rektori i Universitetit të Tetovës, prof. Vullnet Ameti e shpalli “aktorin, intelektualin, humanistin dhe pedagogun e shquar Mirush Kabashi laureat të titullit “Doctor Honoris Causa” me motivacionin “Për merita dhe kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e artit dhe kulturës, për përcjelljen e mesazheve universale të veprave artistike nëpërmjet aktrimit të veçantë, për kultivimin e vlerave kombëtare dhe njerëzore, për guximin qytetar dhe intelektual në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, si dhe për mbështetjen e e përhershme të Universitetit të Tetovës”.

Në fjalën e tij aktori Mirush Kabashi, e vlerësoi titullin që iu dha jo vetëm si nder të madh, por edhe si një përgjegjësi më shumë në rrugën e tij artistike.

Duke nënvizuar rrugën e vështirë e të vendosur të Universitetit të Tetovës në këto 25 vite, Mirush Kabashi e quajti mësimin dhe dijen si një gur themeli në ardhmërinë e kombit.

Aktori Mirush Kabashi

Bashkë me duartrokitjet e publikut në të gjitha skenat e vendit, por edhe në ato të Europës, SHBA dhe Kanadasë, Mirush Kabashi është nderuar nga Presidenti i Republikës me titujt “Artist i Merituar” në vitin 1983, “Mjeshtër i Madh i Punës” në vitin 1998 dhe me titullin e lartë “Nderi i Kombit” më 2014.

Më shumë se 100 premiera teatrale e 20 filma artistikë janë vetëm një pjesë e kontributit të aktorit që ka lindur në Shkodër më 17 prill 1948, i cili ka kontribute të veçanta edhe në artin televiziv si dhe në koncertet e shumtë brenda dhe jashtë vendit.

Karriera e tij 50-vjeçare si profesionist ka nisur në bankat e shkollës së mesme me rolet e kuestorit te “Qielli i kuq” i Tefik Çaushit dhe doktor Adhamudhit në komedinë e Çajupit “Pas vdekjes”.

Që nga mesi i viteve ’90, kur ngriti në skenë “Apologjinë e vërtetë të Sokratit” ai punon në mënyrë thuajse vetmitare, duke krijuar një profil të veçantë aktorial./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.