Xhafaj: Nis shembja e pallateve të pabanueshme në Laç, 541 familje aplikuan për bonus qiraje

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/Përfaqësuesi i Komitetit Ndërministror për Emergjencat në qarkun Lezhë, Etjen Xhafaj në raportimin e tij për qarkun e Lezhës deklaroi se po vijon prishja e pallateve të vlerësuara të pabanueshme pas dëmeve të rënda në strukturë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Xhafaj informoi se po vijon prishja e pallateve me numër 131 dhe 133 në Laç.

“Në Qarkun Lezhë ka vijuar puna me grupet e verifikimit të dëmeve të banesave të qytetarëve në terren.Gjithashtu ka vijuar edhe prishja e pallateve me numër 131 dhe 133 në Laç. Në shkallë qarku janë ngritur deri tani 379 çadra në të cilat janë strehuar 1393 banorë, nga të cilat 293 çadra dhe 1103 qytetarë në bashkinë Kurbin, 41 çadra dhe 147 qytetarë në bashkinë Lezhë dhe 35 çadra dhe 143 qytetarë në bashkinë Mirditë”, -u shpreh ai.

Ndërkaq, Xhafaj bëri të ditur se po procedohet edhe me aplikimet për bonuset e qirave, në mënyrë që të përfitojnë familjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti.

“Gjithashtu, kemi vijuar me aplikimet për bonusin e qirave dhe kemi pasur edhe një vendim të Këshillit Bashkiak të Kurbinit por të miratuar edhe 59 bonuse qiraje të tjera, çka e çon totalin në këtë bashki në 189 familje dhe 160 familje në bashkinë Lezhë”, -tha  ai./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.