Rama: Roli i diasporës i pazëvendësueshëm në procesin e rindërtimit të dëmeve të tërmetit

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se roli i diasporës është i pazëvendësueshëm në procesin e rindërtimit të dëmeve të tërmetit të fortë që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit.

“Nuk mundet veçse të ripërsëris se që në sekondën e parë ne patëm komfortin e një mbështetjeje masive të diasporës, që për hir të së vërtetës në 30 vitet e transformimit të Shqipërisë, nga një vend i mbyllur e diktatorial drejt një demokracie funksionale, e një vendi që synon të jetë anëtare e Bashkimit Europian, ka qenë investitori më i madh në Shqipëri”, tha Rama në mbledhjen e Këshillit Koordinues të Diasporës që u mbajt sot në Tiranë.

Kryeministri vuri në dukje se miliona lekë janë mbledhur me shpejtësi menjëherë pas tërmetit qoftë përmes platformës e-albania apo organizatave të mirënjohura.

“Jam besimplotë që të gjithë këto fonde përtej vlerës së tyre të konsiderueshme financiare kanë një vlerë të madhe shpirtërore e morale do të shkojnë për aty ku janë destinuar me efiçencë e transparencë të plotë”, tha Rama.

Askush, nënvizoi kreu i qeverisë, nuk ka investuar në Shqipëri më shumë se sa diaspora.

86% e familjeve, shtoi ai, kanë përfituar ndihmë financiare nga të afërm të tyre në diasporë.

Kryeministri Rama vuri në dukje se shteti është plotësisht në gjendje të përballojë një emergjencë të tillë kombëtare edhe pse përmasat janë të mëdha në shumë aspekte.

Rama solli në vëmendjen e pjesëmarrësve edhe një artikull të një gazete të botuar mëngjesin e 18 dhjetorit 1926, fill pas tërmetit që goditi Durrësin.

” 100 vjet më pare kur Durrësi u godit nga një tërmet i fuqishëm, i cili shkaktoi shumë dëme materiale e dëme në njerëz, një gazetë e publikuar në 18 dhjetor 1926 raporton se tërmeti i pas drekës qe shkak i çarjes së tokës e mureve që rrëzoi 12 shtëpi, hodhi përdhe gurë, sakatoi portën e Kalasë, çau godinën e qeverisë, e hodhi panik në popull. Gazeta vazhdon ta përshkruajë këtë fenomen të njohur që nga antikitet por ende të pa kuptuar mirë në fillim të shekullit të kaluar. I themi pra tërmet asaj dridhjeje dheu që ndjejmë e që i pësojmë dëmet”, u shpreh kryeministri.

Fenomeni i tërmetit, e vijoi ai fjalën, është një nga më të çuditshmit e tmerrshmit që njeh njeriu dhe aq i keq sa robi ska ku të fshihet, ku shtëpia, kjo banesë e sigurisë i duket e rrezikshme dhe toka e forte e e shëndoshë i ngjan sikur do çahet. Humbet besimin te dheu e mbetet pa pikë mbështetjeje pa strehë e mbrojtje

“E solla këtu këtë fakt, sepse pavarësisht se të dhënat zyrtare mbi dëmet e rindërtimit që pasoi tërmeti i 1926 janë fare të pakta, ka shumë të dhëna që tregojnë se shumica dërrmuese e banesave të rindërtuara u rindërtuan falë ndihmës së diasporës shqiptare. Në mungesë të strukturave moderne të një shteti shqiptar që ishte ende në moshën e fëmijërisë, shumë nga banorët ju drejtuan kontributeve bujare të familjarëve apo të të afërmve në diasporë”, deklaroi Rama/a.gjonaj/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.