Peshëngritësja e Apolonisë dhe Kombëtares medalje ari dhe argjendi në Kampionatin Europian të të rinjve në Izrael

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/- Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, priti sot në një takim peshëngritësen Kleopatra Saliaj dhe trajnerin e saj Ilir Kafaraj, të cilët arritën rezultate të shkëlqyera në Kampionatin Europian të të rinjve në Izrael.

Gjatë takimit Subashi i falënderoi Saliajn dhe Kafarajn për punën e bërë për fitimin e këtyre medaljeve.

“Një medalje ari dhe dy argjendi! Një rezultat mbresëlënës i sportistes së Apolonisë, njëkohësisht dhe Ekipit Kombëtar, Kleopatra Saliaj. I falënderova Kleopatrën dhe Ilirin për punën e madhe që kanë bërë”, shprehet Subashi.

Kryebashkiaku Subashi u premtoi gjithashtu se do të jetë gjithmonë përkrahës dhe mbështetës i sportistëve të talentuar, duke mos larguar në asnjë moment vëmendjen dhe investimet në fushën e sportit./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.