Ligji 100% i dakordësuar me BE dhe OSBE/Vetëm fillimi që do rregullojë historinë e shpifjeve në këtë vend

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH-A. Fortuzi/- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se ligji për disa ndryshime në ligjin për mediat audiovizive është konsultuar 100% me ndërkombëtarët.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Balla, nga foltorja e Kuvendit gjatë diskutimeve për dy projektligjet “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, theksoi se me ligjin antishpifje i cili do të kalojë sot nuk synohet mbyllja e portaleve.

“Nuk mbyllen portale me vendim të qeverisë. Ka vetëm një moment kur vendoset bllokimi i përkohshëm i aksesit kur konfirmohet se publikon pornografi, terrorizëm apo cënon sigurinë kombëtare, vetëm këto raste dhe në këto raste shkon në gjykatë”, tha Balla në reagim të deputetes Hajdari.

“Në vendin ku ju Hajdari gëzoni pasaportën e dytë, të SHBA-së nuk shkohet në gjykatë, kur FBI bllokon aksesin jo për këto tre pika, por dhe më të lehta si kjo e bllokon. Ne nuk e kemi kështu dhe Buroja Federale e Hetimit nuk është institucion i  pavarur, por institucion shtetëror”, tha Balla.

“I kam ndjekur me vëmendje gjithë diskutimin në parlamentin gjerman. Dua t’ju them kam sjellë disa prej paragrafëve të atij ligji që u hoqën në ligjin tonë, për ta lehtësuar. Ligji gjerman thotë, rrjetet sociale ku përfshihen ofruesit e shërbimit online duhet forcuar për të hequr çdo lloj gjuhe shpifje. dhe kanë me detyrim të rinovojnë me dokumente. Duhet të shqyrtohet ankesa brenda 7 ditëve dhe t’i bllokohet aksesi, gjobat shkojnë deri në 50 mijë euro. Kryeministri e tha që ky nuk është një ligj që do rregullojë historinë e shpifjeve në këtë vend”-, shtoi kreu i Grupit Parlamentar të PS.

“Kam një pyetje për çdo kritik, nëse ndaj jush do artikulohej një akuzë a do të dinit kush është? A nuk do të kërkonit të vërtetën mbi autorësinë? Nuk shkon dot në gjykatë se portali është i regjistruar në Bogota. Një portal me shumë peshë është i regjistruar në Bogota. Ku është PE kundër kësaj pakete. PE ka plot direktiva nga plot vende anëtare. Një gjë e them me bindje: Kemi 8 muaj që punojmë për këtë pr/ligj, tani ti thua dua edhe një javë. Natën e Krishtlindjeve do mblidhemi se ka Rudina një amendament. Historikisht si qasje e jona, nuk kemi bërë kurrë asnjë hap pa partnerët”-, tha Balla.

Sipas Ballës, OSBE ka ekspertizën ndër më të mirat në këtë aspekt.

“Për ata që nuk e dinë, ligji është shumë i rëndësishëm të testohet kur të aplikohet, do implementohet nën monitorimin e OSBE. KE e ka sjellë me letër e ka thënë qartë pozicioni e tij. As mos u kompleksoni e as mos u intimidoni nga kritikët e ligjit”-, shtoi ai.

“Nuk mund të jetë argument nga ana e komunitetit të gazetarëve që thonë ç’punë ka Parlamenti të na bëjë ligje ne. Përtej intimidimeve dhe telefonatave ky ligj duhet votuar dhe është vetëm fillimi i një procesi për të shpëtuar veshin e shqiptarëve nga dezinformimi. Kemi detyrën ta fusim në rrugë të mbarë”.

“Fakti që është 100 % i dakordësuar me partnerët e BE dhe OSBE, kjo është një gjë shumë e mirë dhe bëhuni gati për ta votuar sa më shpejt në seancë”, deklaroi Balla.

“Por kushdo që konstaton një shpifje ta bëjë. E tha Kryeministri e them dhe unë. Unë i besoj gjykatës dhe nuk po dal keq nga fondet e mbledhura nga Gjykata. Luzim Basha është dënuar me një gjobë penale për një shpifje që ka bërë këtu në këtë foltore, 500 mijë lekë nuk është pak, por shkon në buxhetin e shtetit nuk merret nga fituesi i çështjes, por ka edhe të tjerë që janë rrugës për të pagur sepse fondi i edukimit duhet pasuruar edhe me kontribuues të zinj”, tha ai.

/i.v/ /a.f/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.