Kuvendi miratoi Paketën Fiskale për vitin 2020

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/- Kuvendi i mbledhur në seancë plenare miratoi paketën fiskale për vitin 2020, zgjatjen e afatit të veprimtarisë së ligjit për investimet strategjike, miratoi projektligjin për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme, miratoi paketën e ndryshimeve ligjore për median elektronike, miratoi disa projektvendime dhe memorandumin e mirëkuptimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për programin “Fullbright”.

Buxheti dhe paketa fiskale

Diskutimi në parim i buxhetit dhe paketës fiskale ishte zhvilluar në seancën paraardhëse. Seanca shkoi drejt votimit nen për nen dhe në tërësi të projektligjit të buxhetit dhe 5 projektligjeve të paketës fiskale.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, u miratua me 88 vota pro, 11 kundër dhe 2 abstenim. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, u miratua me 90 vota pro, 10 kundër dhe 2 abstenim. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, u miratua me 89 vota pro, 11 kundër dhe 2 abstenim. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, u miratua me 86 vota pro, 12 kundër dhe 4 abstenim. Projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, u miratua me 84 vota pro, 14 kundër dhe 2 abstenim. Projektligji “Për buxhetin e vitit 2020”, u miratua me 90 vota pro, 9 kundër dhe 2 abstenim.

Projektligji “Për një ndryshim në ligjin “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar

Seanca miratoi zgjatjen deri më 31 dhjetor të vitit 2020 të projektligjit për investimet strategjike. Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, si nismëtar i ndryshimit ligjor u shpreh se ligji i vitit 2015 kishte hedhur themelet e një qasjeje të re për investimet e mëdha prioritare në zhvillim. Sipas deputetit Beqja ai ligj krijonte hapësira lehtësuese dhe rregullatore. Mirëpo, ndryshimi i sjellë në Kuvend me propozimin e tij, kërkonte zgjatjen e afatit të veprimtarisë së ligjit ekzistues nga data 31 dhjetor 2019 në datën 31 dhjetor 2020. Kjo, sipas deputetit të Partisë Socialiste, për t’i dhënë kohë të mjaftueshme ndërtimit të një platforme të re që të reflektojë risi e përshtatje me zhvillimet në kohë, ndërkohë që qeveria përballet me optikën e re të krijuar pas fatkeqësisë së 26 nëntorit. Myslim Murizi, në emër të grupit parlamentar Demokrat shprehu kritikat e tij, duke e ndërlidhur fjalën e tij edhe me çështje të buxhetit dhe paketës fiskale. Projektligji u miratua me 83 vota pro, 13 kundër dhe 4 abstenim.

Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”

Kuvendi miratoi në seancën e sotme plenare projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”. Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Anastas Angjeli, u shpreh se përfitues nga kjo nismë janë 50 mijë qytetarë që nuk kanë mundur të sigurojnë rivlerësimin në dy rastet e mëparshme, në vitin 2013 dhe në vitin 2016. Sipas deputetit të Partisë Socialiste, kjo fazë bën kalimin e pronave të qytetarëve nga vlera e tyre historike në vlerë tregu. “Nisma sjell përfitime dyfishe, edhe për qytetarët, edhe për buxhetin e shtetit”,- pranoi  Angjeli. Deputeti i Partisë Socialiste u shpreh se projekti mbështet nevojat e qytetarëve e në mënyrë të veçantë familjeve në emigracion. Projektligji u miratua në Kuvend me 77 vota pro, 14 kundër dhe 6 abstenim. e.xh/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.