KOREJA E JUGUT – “Samsung Electronics” ndjesë për manovrat antisindikaliste të presidentit të tij

SEUL, 18 dhjetor /ATSH-AFP/-Gjigandi i Koresë së Jugut “Samsung Electronics” kërkoi falje sot, si gjest pendimi, një ditë pas burgosjes së presidentit të tij, i cili u shpall fajtor për manovrat për të ndaluar punonjësit e tij që të krijonin një sindikatë.

Lee Sang-hoon dhe zëvendëspresidenti ekzekutiv, Kang Kyung-hoon, u dënuan me 18 muaj burg të martën, për shkeljen e shumë ligjeve të kodit të punës, në një përpjekje për të shtypur prirjet sindikaliste, veçanërisht brenda sektorit përgjegjës për marrëdhëniet me klientët.

Për dekada me rradhë, grupi i rezistoi më së miri krijimit të sindikatave.

“Sa të jem unë gjallë, ato nuk do të lejohen kurrë”, është shprehur Lee Byung-chul, themeluesi i “Samsung”, që vdiq në 1987.

Por muajin e kaluar, në përfundim të një beteje shumë të gjatë të punonjësve, autoritetet lokale të Suwon-it, qyteti ku ndodhet selia e “Samsung”, miratuan krijimin e organizatës së parë sindikaliste në historinë e këtij grupi./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.