Interpretimi i fjalimeve historike, zhvillohet gara mes nxënësve të shkollave të mesme

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Nxënësit e shkollave të mesme të qytetit të Tiranës konkurruan përballë njeri-tjetrit në kuadër të njërit prej aktiviteteve të planifikuara nga Kuvendi i Shqipërisë me rastin e 100-vjetorit: vënien në skenë përmes interpretimit të fjalimeve historike të mbajtura në Kuvendin e Shqipërisë përgjatë historisë së tij.

Qyteti i Tiranës zgjodhi sot 7 fituesit e këtij garimi, ndërsa vetëm një ditë më parë këtë garë, me 3 fitues të përzgjedhur, e kishte mbyllur edhe qyteti i Lushnjes.

Deputetja e Partisë Socialiste njëherësh nënkryetare e kuvendit, Vasilika Hysi përshendeti garën finale të qytetit të Tiranës.

“Kënaqësi që garën finale të qytetit të Tiranës ta përshëndesja në emër të Kuvendit të Shqipërisë. E konsideroj shumë të rëndësishme bërjen pjesë të të rinjve në procesin parlamentar, ku përmes këtij aktiviteti, ata njohin më së afërmi edhe procedurën dhe jetën parlamentare të një deputeti. 10 fituesit e përzgjedhur nga shkollat e mesme të Tiranës dhe Lushnjes do të interpretojnë në foltoren e Kuvendit, me rastin e 100-vjetorit, fjalimet e përzgjedhura më parë nga një komision i posaçëm shkencor e me të cilat më parë garuan edhe në nivel shkollash e qyteti”, -thotë Hysi.

Gara finale mes 10 garuesve që do të sjellin sërish në foltoren e Kuvendit disa nga fjalimet më peshërënda, më të debatuara apo më delikatet e historisë së parlamentarizmës shqiptare, do të zhvillohet në Sallën e Seancave Plenare të Kuvendit të Shqipërisë në janarin e vitit 2020. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.