Cakaj në Gjenevë: Askush të mos harrojë pasojat e gjenocidit të Millosheviçit

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/- “Shqipëria mbetet e përkushtuar për zbatimin e plotë të detyrimeve të saj në kuadër të Kompaktit Global për Refugjatët”.

Kështu deklaroi ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në punimet e Forumit Global për Refugjatët në Gjenevë.

Në fjalën e mbajtur, ministri në Detyrë Cakaj nënvizoi se “në bashkëpunim të ngushtë me UNHCR, BE dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, Shqipëria do të punojë në përmirësimin e sistemit për menaxhimin e kërkesave për azil dhe zgjerimin e kapaciteteve për integrim të refugjatëve”.

“Shumë e rëndësishme të kujtohet kontributi i pakrahasueshëm historik i Shqipërisë në pranimin e refugjatëve nga lufta e Kosovës e shkaktuar prej projekteve për pastrim etnik dhe gjenocid nga regjimi i Milosheviçit!” – u shpreh Ministri Cakaj.

Po ashtu, Cakaj shtoi se kjo përvojë historike nuk përbën vetëm një shembull të solidaritetit kombëtar, por edhe paraqet një model botëror për sa i përket marrëdhënies së Shqipërisë me refugjatët në një prej orëve më të vështira të historisë./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.