Zgjatja e gjendjes së emergjencës, Gjermeni: Problematika që ndeshet në terren kërkon vëmendje maksimale

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni deklaroi se shtyrja e afatit të situatës së emergjencës deri në 31 mars, pas tërmetit të 26 nëntorit, do t’i japë mundësi qeverisë që t’i përgjigjet sa më mirë situatës në terren.

Në një intervistë televizive dhënë për një media televizive, Gjermeni u shpreh se qytetarët do të mbështeten në vijimësi, sepse kanë nevojë për një përkujdesje intensive për një kohë relativisht të gjatë.

“Besoj se fakti që grupet e ekspertëve janë akoma në terren për të vlerësuar dëmet dhe e gjithë puna është intensive në të gjitha nivelet, qoftë për sa i përket vlerësimit të dëmit, qoftë për sa i përket ofrimit të kujdesit shëndetësore apo shërbimit social, qoftë të ofrimit të banesave apo plotësimit me bonus qiraje të qytetarëve. Ky është një proces i cili kërkon intensitet dhe vëmendje maksimale dhe besoj se zgjatja e këtij afati do të vazhdojë edhe këto përpjekje intensive për ta tejkaluar këtë situatë edhe për të hyrë gradualisht në procesin e rindërtimit. Kjo nuk do të thotë që tani elementë të procesit të rindërtimit nuk kanë filluar. Besoj se kompleksiteti i situatës, problematika që ndeshet në terren kërkon vëmendje maksimale nga të gjithë aktorët. Kompleksiteti i nevojave dhe vështirësitë e kësaj situate janë shumë të mëdha. Sfidat me të cilët përballen të gjithë aktorët e angazhuar me këtë situatë janë shumë komplekse dhe nevojat e qytetarëve janë të ndryshme, në varësi se ku banojnë, problematikave që kanë, kujdesit shëndetësor apo përkujdesjes që kanë nevojë nga ana psiko-sociale, kështu që ajo që dua të them me siguri është që vëmendja dhe angazhimi është maksimal por sigurisht që përballë nevojave që janë shumë herë më të mëdha, mbase nuk kemi mundur t’i plotësojmë të gjitha nevojat për bëjmë maksimumin për të qenë pranë qytetarëve, për të plotësuar nevojat imediate dhe gradualisht për të kaluar nga një fazë e emergjencës së theksuar, për t’i futur në rrjedhën e jetës së zakonshme. Ky është një proces që do të zgjasë. Vërtet fizikisht në mund t’iu sigurojmë banorëve banesa duke u dhënë bonus qiraje dhe duke i garantuar se do të vazhdojnë të qëndrojnë aty dhe duke i premtuar dhe maksimalisht qeveria që do të ndërtohen banesat brenda vitit të vjen. Por, psikologjikisht kjo është diçka që kërkon kohë edhe të kuptohet edhe realisht të ndjehet nga qytetarët. Pasiguria, paniku dhe fakti që qytetarit realisht i është shembur shtëpia, sikur ka shembur botën përpara tyre dhe sigurisht që kjo është një periudhë që do të ketë nevojë për një përkujdesje intensive për një kohë relativisht të gjatë”, – u shpreh ajo.

Gjermeni u shpreh se tashmë ka nisur puna për rindërtimin. “Janë identifikuar zonat ku do të rindërtohet. Shpresoj që gjithë ky proces të jetë një reflektim dhe një përvojë që do të na përmirësojë gjithçka bëjmë për të ardhmen”, – tha Gjermeni.

Ajo informoi po ashtu se, situata pas tërmetit përbën edhe një moment reflektimi për atë çka është bërë mirë apo keq. “Është një moment për të reflektuar se çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë nuk kemi bërë mirë, ku duhet të përkushtojmë më shumë vëmendje dhe çfarë duhet të përmirësojmë në punën tonë në të gjitha nivelet, në atë vendor, në nivel të emergjencave civile, parlament, qeveri e shoqëri në përgjithësi”.

Më tej, deputetja e PS-së theksoi se duhet të trajtohet me kujdes çështja e ndërtimit, ndaj edhe sipas saj duhet parë me kujdes që nga procesi i monitorimit të punimeve e deri tek dhënia e lejeve të ndërtimit.

“Standardi i ndërtimit është një proces që duhet parë dhe i cili duhet monitoruar me kujdes që nga momenti që jepen lejet e ndërtimit dhe më pas kur zhvillohet, në mënyrë që godinat të jenë më rezistente ndaj lëkundjeve sizmike edhe kjo është një element shumë i rëndësishëm. Duke dëgjuar ekspertët e fushës dhe duke marrë modelet më të mira të vendeve të cilat janë përballur me të tilla sfida, mendoj se do të ishte mënyra më e mirë për të parandaluar këtë katastrofë natyrore”, – tha ndër të tjera deputetja.

Sa i përket ndalimeve të ditëve të fundit të personave në lidhje me dëmet e tërmetit, Gjermeni u shpreh se drejtësia duhet të kishte bërë edhe më herët rolin e saj.

“Unë besoj se drejtësia duhet ta bëjë rolin e saj, duhet ta kishte bërë dhe të vazhdojë ta bëjë në vazhdimësi. Të gjithë shpresojmë dhe besojmë, për më tepër procesi i Reformës në Drejtësi dhe drejtësia në tërësi është që ne duam që drejtësia të jetë për të gjithë, të kenë akses të gjithë dhe të ketë drejtësi reale. Me ndalimet e kohëve të fundit dhe marrjen e masave dhe i gjithë procesi i kohëve të fundit që ka filluar, është përgjigja e duhur që të gjithë ata që kanë shpërdoruar detyrën, ose nuk e kanë bërë atë në mënyrën e duhur, jo thjesht për të reflektuar dhe për të nxjerrë një mësim, por për të krijuar një standard në ndërtim”. /z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.