RIGA – Letonia dhuron 70 mijë euro për përballimin e pasojave të tërmetit

RIGA, 17 dhjetor /ATSH/ – Letonia sot dha një kontribut prej 70 000 eurosh për Shqipërinë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit, njoftoi agjencia shtetërore letoneze e lajmeve, LETA, që citon Ministrinë e Jashtme letoneze.

Në përputhje me vendimin e qeverisë letoneze të 3 dhjetorit, paratë janë siguruar nga fondet e urgjencës së buxhetit të shtetit.

“Fondet iu paguan Ministrisë shqiptare të Financave dhe Ekonomisë në mbështetje të përpjekjeve të saj për t’iu përgjigjur nevojave urgjente të popullit të Shqipërisë dhe për të lehtësuar pasojat nga tërmeti”, tha Ministria e Jashtme letoneze.

Letonia i dha ndihmë humanitare Shqipërisë edhe kur vendi u godit nga një tjetër tërmet më 21 shtator, që u shoqërua edhe me reshje të mëdha shiu dhe përmbytje./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.