Ligji për mediet elektronike, Ulqini: Të dakordësuar që violinë e parë të jetë OSBE, ndryshimet në draft reflektojnë shqetësimet e gazetarëve

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht relatori i ndryshimeve ligjore në ligjin për mediet elektronike, Musa Ulqini deklaroi sot në një intervistë televizive se, asnjë portal nuk do të mbyllet pa një vendim gjykate

Ulqini tha se në komisionet parlamentare janë bërë ndryshime në draft që reflektojnë shqetësimet e gazetarëve, por edhe të organizatave ndërkombëtare.

“Ne ia garantojmë qytetarit, edhe portalit, të drejtën që e fundit për të gjitha çështjet të jetë gjykata, as Këshilli i Ankesave, as AMA, por gjykata. Ne e kemi garantuar këtë të drejtë. Ky shqetësim është reflektuar në mënyrë të qartë. Unë flas me përgjegjshmëri se jam relator i çështjes. Shqetësimi i parë ishte që gjykata nuk është e pranishme dhe vendimet e bordit të AMA-s dhe Këshillit të Ankesave nuk shkonin në gjykatë. Ky shqetësim është forcuar dhe reflektuar në projekt”, tha Ulqini.

“Ne nuk mund të kishim drafte të ndryshëm. Të gjithë faktorët i kemi ftuar në diskutimet tona në parlament. Të gjithë kanë rënë dakord që violinë e parë të jetë OSBE”, tha Ulqini.

Sa i përket vendosjes së gjobave ndaj portaleve në rast të shkeljeve, Musa Ulqini tha se vlera maksimale është ulur nga 10 milionë lekë të vjetra që ishte në draftin e pandryshuar, në 4 milionë lekë të vjetra, maksimumi.

“Shqetësimi për gjobat e larta është i drejtë. Komisioni me propozim të Ikonomit dhe timin, në respekt të parimit të proporcionalitetin vendosi që gjobat për portalet të jenë më të ulëta. Sepse nuk mund të gjykohet një portal me 5 veta si një televizion kombëtar. Kur flitet për gjobat propozuam që gjobat për portalet të mos jenë të njëjta si për radiot dhe televizionet, nga 10 milionë të vjetra, u zbrit në 4 milionë të vjetra, nis nga 100 mijë deri në 4 milionë lekë maksimumi. Ligji nuk bëhet për të bllokuar, por për të rregulluar. Reklamat që thithin portalet me televizionet dhe radiot nuk është i njëjtë. Sipas pronarëve të portaleve nuk duhet të ketë fare gjoba, por ne nuk bëjmë një ligj në favor të një grupi, por në favor të së drejtës”, tha Ulqini.

Ulqini theksoi se, “pa një vendim gjykate, portali nuk do të mbyllet në asnjë rast. Të vetmet pika që flasin për detyrimin e portalit për të fshirë lajmin, jo për t’u mbyllur, janë kur publikohen shkrime që përhapin pornografinë tek fëmijët, terrorizmin dhe cenojnë sigurinë kombëtare”.

“Në projekt ka qenë e përcaktuar vetëm për tre çështje, që po lexohen, që të bllokojnë internetin, nga 3 milionë çështje. Ne nuk jemi Koreja e Veriut, as Kina, as Venezuela. Propozohet heqja e përmbajtjes jo më vonë se 60 minuta, kur dyshohet se nxit, pornografi, terrorizëm dhe sigurinë kombëtare. I heq shkrimin dhe nuk mbyllet portali”, u shpreh Musa Ulqini.

Ulqini shtoi se problematikë është edhe financimi i portaleve. “Kush i financon portalet. I financon Edi Rama, Lulzim Basha, Ilir Meta. I financon krimi, droga, terrorizmi. Kjo ka shumë rëndësi edhe për pluralizmin në media, sepse mund të ketë një biznes që mund të financojë 20 portale”.

Ulqini gjithashtu theksoi se, “edhe regjistrimi i portaleve është një pikë e rëndësishme. Sepse ka raste kur nuk gjen dot një adresë të portalit apo kujt i përket për të bërë qoftë dhe një përgënjeshtrim”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.