Rritja e sigurisë rrugore/ Lleshaj takon Jean Todt: Edukim i gjerë publik dhe rreptësi më e madhe

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ – Rritja e sigurisë rrugore në Shqipëri ishte në qendër të takimit që ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj zhvilloi me Jean Todt, president i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA).

Lleshaj shprehet se “me këtë mjeshtër botëror të shpejtësive të larta, diskutuam për uljen e shpejtësive absurde dhe rritjen e sigurisë në rrugët e vendit tonë, ku aksidentet marrin 5 herë më shumë jetë njerëzore sesa krimi”.

Gjithashtu ministri Lleshaj theksoi se “edukimi i gjerë publik, i kombinuar me rreptësinë më të madhe të organeve ligjzbatuese ndaj atyre që shkelin legjislacionin në rrugë janë drejtimet kryesore, në të cilat do të vijojë angazhimi i të gjithë strukturave të rendit dhe sigurisë publike nën mbështetjen e Federatës Ndërkombëtare të Automobilave dhe të OKB-së”.

“Faleminderit Jean Todt për kontributin kampion në shërbim të sigurisë rrugore në Shqipëri e në mbarë botën, si i Dërguar Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për sigurinë rrugore”, shtoi Lleshaj.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.