Lezhë/ Kisha e Shën Premtes me afresket e saj unikale, destinacioni i ri i turizmit religjioz

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ Restaurohet kisha e Shën Premtes në Balldren të Lezhës. Kisha është shpallur monument kulture i kategorisë I në vitin 1981, tashmë ajo është një tjetër destinacion për të gjithë turistët.

Kisha e Shën Premtes daton në shekujt XII-XIII dhe është e ndërtuar mbi kodrën shkëmbore të një vendbanimi mesjetar. Ruhet e plotë me të gjitha elementet përbërëse arkitektonike me planimetri në formë drejtkëndore. Afresket ruajnë vlera me rëndësi jo vetëm rreth cilësisë së realizimit të tyre, por edhe për historinë e zhvillimit të saj në faza të ndryshme.

Kisha ndodhet në fshatin Balldren, 5 km nga qyteti i Lezhës dhe 300 metra nga superstrada Balldren – Shkodër.

Afresket e gjendura në këtë kishë janë unikale. Është e vetmja kishë në vend që ka qartësisht “Darkën e fundit” të Jezu Krishtit tek apsida, më shumë se 200 vjet para se ta pikturonte Da Vinçi, çka i jep kësaj kishe vlera të pakrahasueshme.

Me të njëjtin lloj harku janë edhe dyert e dritaret origjinale, një pjesë e të cilave janë të murosura. Nga gërmimet e viteve 1985-86 në pjesën jugore të kishës janë evidentuar mure dhe një apsidë, vazhdim i ekzistueses, duke përcaktuar në këtë mënyrë se forma planimetrike origjinale ka qenë e përbërë në dy anijata dhe dy apsida. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.