Hetimet për tërmetin/ Kryeprokurori Çela: Provë e pavarësisë së prokurorëve

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, realizoi sot një takim në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda me prokurorët e kësaj prokurorie përpara përfundimit të aktivitetit nga ana e saj.

Ai u shprehu atyre vlerësimet maksimale për punën e kryer përgjatë 15 viteve të funksionimit të saj, duke theksuar se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka qenë model për rajonin dhe ka arritur rezultate të rëndësishme në luftën ndaj krimit të organizuar.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela vlerësoi lart profesionalizmin e tyre dhe shprehu besimin se eksperienca që ata kanë do të jetë shumë e vlefshme për prokuroritë ku ata do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet.

Njëkohësisht ai vlerësoi pozitivisht vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për transferimet e prokurorëve të kësaj prokurorie, si shenjë e mbështetjes dhe vlerësimit që ky organ dha për karrierën e prokurorëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Çela vuri theksin gjithashtu edhe tek kuadri i ri ligjor në të cilin veprojnë prokurorët, ku pavarësia u cilësua si elementi thelbësor që do të karakterizojë punën e prokurorëve.

Ai siguroi se do të jetë mbështetës dhe garant i kësaj pavarësie. Mes të tjerash, Kryeprokurori Çela u shpreh se rezultatet e hetimit në çështjet që lidhen me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës janë provë e funksionimit të pavarësisë reale të prokurorëve dhe vlerësoi punën e tyre në këtë drejtim.

Në fund, ai u uroi suksese në karrierën e mëtejshme prokurorëve, duke shprehur besimin se kontributi i tyre do të jetë i rëndësishëm për rritjen e besimit të publikut tek drejtësia. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.