Gjermeni: Verifikim godinave pas tërmetit, strehim dhe shërbim shëndetësor 24 orë për qytetarët pas tërmetit

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ Deputetja socialiste e qarkut të Durrësit, Eglantina Gjermeni ka qëndruar gjatë gjithë këtyre ditëve pranë banorëve të bashkisë së Krujës të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Eglantina Gjermeni vijon t’u shërbejë banorëve të dëmtuar të Krujës me përulësi, duke u garantuar që në rrugën e ringritjes jemi të gjithë bashkë.

“Përkujdesja ndaj njeriut është për mua themeli i çdo shoqërie njerëzore. Jo vetëm për background-in që kam por edhe se jam deputete e qarkut Durrës dhe bashkisë Krujë”, thekson ajo.

Duke treguar për ditën e tërmetit dhe ditët që e pasuan, Gjermeni tregon se, “ato ditë ishim në Thumanë aty ku kishte dhe jetë të humbura dhe jetë në gërmadha dhe të ishim pranë familjeve dhe të shpëtonim sa më shumë jetë. Më pas të përpiqeshim të shpëtonim qytetarët në kampe. Kruaj u trondit shumë dhe shumë banesa të qytetarëve u dëmtuan rëndë. E gjithë vëmendja ishte që t’i ofronim qytetarëve siguri qoftë me strehim në hotele, konvikte dhe të ishim pranë tyre”.

Gjermeni shton se, “në qytetin e Krujës i kemi të shpërndarë qytetarët, të cilëve iu dëmtuan banesat dhe e kanë të pamundur të jetojnë aty në banesat që kishin. Janë rreth 40 këtu në palestrën e shkollës së mesme Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Janë 130 në palestrën e shkollës nr 4 dhe në konviktin që është pranë saj. Dhe rreth 20 e ca familje janë në një hotel të vogël në Hotel Grand”.

“Nga pallatet që janë evidentuar nga ekspertët, 6 prej pallateve që janë evidentuar janë shpallur të pabanueshme, ndërkohë që një pjesë e mirë e tyre gati 47 që kanë pasur dëmtime, një pjesë e tyre kanë dhe dëmtime goxha të rënda dhe nuk këshillohet të shkojnë qytetarët në to. Ndërkohë që vazhdon evidentimi, të gjitha ekipet janë në terren për të parë me kujdes për të bërë ekspertizën e duhur dhe për të dhënë vendimin nëse mund të banohen apo jo”, thotë deputetja Gjermeni.

Gjermeni nënvizon se, “qendra shëndetësore këtu dhe spitali i Krujës në të gjitha njësitë vendore ka ofruar shërbim shëndetësor për qytetarët 24 orë. Dhe në kamp kur ishte në Thumanë, dhe në Bubq, dhe në Krujë po ashtu”.

Ndërkohë Gjermeni falënderon të gjitha organizatat e shoqërisë civile që kanë mbështetur qytetarët e prekur nga tërmeti. “Kanë ardhur ndihma, veshje, batanije, ushqime, paketa higjienike. Kjo tragjedi na bëri të gjithëve bashkë me solidaritet dhe në këtë situatë mbizotëroi humanizmi dhe solidariteti”, thekson Gjermeni. /gj.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.