Ekipet mjekësore, më shumë se 7 mijë vizita për banorët e prekur nga tërmeti

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ – Më shumë se 340 mjekë dhe infermierë vijojnë të jenë në terren, në mënyrë që shërbimi ndaj banorëve të prekur nga tërmeti, të ofrohet pa ndërprerje, duke u kujdesur për secilin prej tyre.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka bërë të ditur se janë kryer më shumë se 7 mijë vizita për banorët e prekur nga tërmeti.

Këto vizita shprehet Manastirliu janë kryer nga ekipet mjekësore në hotelet dhe pikat e emergjencës ku janë sistemuar përkohësisht qytetarët e prekur nga tërmeti.

“Këto vizita janë kryer nga ekipet tona mjekësore në hotelet dhe pikat e emergjencës ku janë sistemuar përkohësisht qytetarët e mbetur pa strehë si pasojë e tërmetit”, tha Manastirliu.

Gjithashtu më herët ministrja ka bërë të ditur se 530 të sëmurët kronikë po marrin terapitë e mjekimit në njësitë akomoduese ku janë sistemuar dhe në pikat e emergjencës. /a.a/j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.