ITALI – Evakuim masiv për neutralizimin e një bombe të LIIB

ROMË, 15 dhjetor /ATSH-AFP/ – Rreth 54 000 persona, më shumë se gjysma e popullsisës së qytetit, u evakuan sot në Brindisi, për të mundësuar neutralizimin e një bombe britanike që datonte që prej vitit 1941, operacioni më i madh i këtij lloji në Itali që prej përfundimit të luftës, sipas medias.

“Bomba me një gjatësi prej një metër dhe më shumë se 200 kilogramë, u gjend më 2 nëntor gjatë punimeve për restaurimin e një salle kinemaje”, shkruan e përditshmja “La Repubblica”.

Në një rreze prej më shumë se 1,5 kilometra rreth vendit ku u gjend bomba, e gjithë popullsia është dashur të evakuohet dhe në një rreze më të kufizuar, prej 500 metrash, gazi është ndërprerë. Gjatë kohës punimeve trafiku ajror dhe linjat e trenave do të ndërpriten gjithashtu në këtë zonë.

Më shumë se 1 000 anëtarë të forcave të sigurisë dhe 250 vullnetarë të Mbrojtjes Civile morën pjesë në këtë operacion.

Sipas agjencisë AGI, evakuimi që përfshin pothuajse më shumë se gjysmën e popullsisë së këtij qyteti prej rreth 87 000 banorë filloi dje, me transferimin e 217 të burgosurve nga burgu lokal drejt burgjeve të tjera.

Operacioni do të përfundojë në mesditë, sipas zyrtarëve lokalë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.