Basha: Beteja për votën e lirë, jetike edhe për avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt BE

TIRANE, 15 dhjetor/ATSH/-Kreu i PD, Lulzim Basha i  pranishëm në aktvitetin e Akademisë Politikë deklaroi sot se “nëse nuk arrijmë të sigurojmë votën e lirë, t’i japim fuqinë e vendimmarrjes dhe kontrollit, ndëshkimit dhe vlerësimit përmes votës qytetarëve, asnjëherë nuk do të mund të kemi një qeveri të përgjegjshme, që premtimet me të cilat merr votat, t’i bëjë realitet ose të largohet”.

Ai tha se beteja e jonë dhe e çdo shqiptari për votën e lirë është jetike për mirëqenien e qytetarëve, por dhe avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE.

“Në kushtet e vendosura për Shqipërinë, garantimi votës së lirë është kryesori dhe kjo nuk mund te realizohet pa ndëshkuar politikanët që, në bashkëpunim me krimin, blenë votat dhe shkatërruan proceset zgjedhore të 2016 dhe 2017-ës.  Ne kemi bërë propozimet tona, ne kemi ofruar bashkëpunimin tonë për reformën zgjedhore prej 4 muajsh, me një qëllim, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të parakohshme parlamentare dhe kushtetuese vendore në një ditë”, tha Basha.

Ai shtoi se “pranverën tjetër shpresojmë që një tjetër shans t’i jepet Shqipërisë. Deri ateherë, ne, Shqipëria, do të duhet të përmbushë detyrimet e saj. Kushtet e Bundestagut janë udhërrëfyesi ynë. Koha nuk pret. Është dëshmuar tashmë se me propagandë dhe show nuk ua hedh dot liderëve europianë. Nuk ia hedh dot as Angela Merkelit, as Makronit, as Komisionit Europian. Rruga drejt Europës nuk kalon nga mashtrim, as nga propaganda e përditshme, por kalon nga reformat e vërteta, nga serioziteti dhe përkushtimi europian.
Pranda, është urgjent të nisë puna sa më parë, pasi koha në dispozicion është e shkurtër për zbatimin e kushteve të Bundestagut, ku prova kryesore janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.

Gjithashtu, Basha u ndal te ligji i ri për mediet, duke theksuar se “nuk ka liri politike pa liri fjale. Kjo qeveri dhe ky kryeministër këtë të mërkurë do të paraqesin në Parlament dy projektligje që janë asgjë më pak se shpallje lufte ndaj fjalës së lirë”.

Sipas tij, kjo qeveri do të fshehë e maskojë dështimet dhe abuzimet e saj nëpërmjet pengimit të lirisë së fjalës dhe censurimit të mediave.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.