TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/ Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një nismë krejt të veçantë në ndihmë të fëmijëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.
Në kuadër të festave dhe Shqipërisë solidare, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka prezantuar nismën “Operacioni kutia”, për cilindo që dëshiron të dhurojë një pako me dhurata për këta fëmijë.
Në videon e publikuar nga vetë Veliaj shpjegohet edhe procedura e pakos me dhurata. Secili mund të marrë një pako të thjeshtë këpucësh bosh edhe ta mbështjellë atë bukur, për t’a mbushur më pas me dhurata për fëmijë, qoftë djalë apo vajzë sipas dëshirës.
Veliaj fton të gjithë të vegjlit e kryeqytetit që të përgatisin një pako me lodra dhe një urim për t’ia dhuruar bashkëmoshatarëve të tyre.
“Një mal me dhurata! A je gati për Operacionin Kutia? Merr një kuti boshe këpucësh, mbushe me gjërat që do doje t’ia dhuroje një shoku/shoqeje, vendosi emrin tënd, moshën, pusullën me urimin e ngrohtë të festave dhe së bashku do t’ua dërgojmë fëmijëve të prekur nga tërmeti në Durrës, Thumanë, Laç dhe Krujë”, – thotë Veliaj.
Nisma “Operacioni Kutia”, synon t’u vijë në ndihmë fëmijëve në zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në mënyrë që edhe ata të gëzojnë për festat e fundvitit sikurse gjithë fëmijët e tjerë. Kutitë me dhurata do t’i dërgohen më pas fëmijëve të prekur nga tërmeti në Durrës, Thumanë, Laç dhe Krujë. /z.tosku/j.p/
